Loran pritet të jetë largimi i radhës nga Dinamo gjatë kësaj merkatoje verore. Sipas raportimeve, bisedimet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe zyrtarizimi mund të vijë në ditët në vijim.
30-vjeçari shihet si një përforcim me eksperiencë për krahun e majtë të mbrojtjes, një repart ku Elbasani kërkon më shumë siguri dhe cilësi përpara ndeshjeve në Europë. Përvoja e fituar në kampionatin shqiptar e bën Loranin një profil të rëndësishëm për verdheblutë.
Mbrojtësi mbyll kështu aventurën e tij me fanellën e Dinamos pas tre sezonesh. Gjatë kësaj periudhe, ai zhvilloi plot 115 ndeshje zyrtare, duke realizuar dy gola dhe duke dhuruar katër asistime. Loran ishte një nga lojtarët më të besuar të skuadrës në sezonet e para, duke u kthyer në një titullar të padiskutueshëm.
Dinamo e afroi mbrojtësin në verën e vitit 2023 nga Bylisi, ndërsa në sezonin e fundit ai doli jashtë planeve të trajnerit Ilir Daja, duke pasur më pak hapësira në formacion. Tashmë, aventura e re te Elbasani duket destinacioni më i mundshëm për brazilianin.
