Vusal Isgandarli i ka dhënë fund aventurës së tij me Partizanin, pasi drejtuesit e klubit vendosën të mos rinovojnë kontratën me sulmuesin azerbajxhanas. Pas largimit nga të kuqtë, 30-vjeçari është duke shqyrtuar opsionet për të ardhmen, ndërsa pista turke duket gjithnjë e më konkrete.
Sipas informacioneve, në gjurmët e Isgandarlit është vënë Vanspor, skuadër që militon në Ligën e Parë të Turqisë. Për sulmuesin nuk do të ishte një eksperiencë e panjohur, pasi ai ka luajtur më herët në futbollin turk me fanellat e Boluspor dhe Ankara Keciorengucu, duke fituar eksperiencë të konsiderueshme në këtë kampionat.
Gjatë sezonit të fundit me Partizanin, Isgandarli arriti të shndërrohej në golashënuesin më të mirë të ekipit, pavarësisht se realizoi vetëm gjashtë gola në 35 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Performancat me të kuqtë i rikthyen gjithashtu edhe besimin e përfaqësueses së Azerbajxhanit, duke fituar sërish një vend në kombëtare.
Tashmë, me aventurën te Partizani të mbyllur, 30-vjeçari duket gati për një kapitull të ri në karrierën e tij.
