Tirana do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë miqësore në kuadër të fazës përgatitore që po zhvillon në Turqi. Bardheblutë do të përballen me Çorum FK, skuadër që këtë sezon është pjesë e Superligës turke.
Fillimisht, klubi turk kishte planifikuar të luante ndaj Igdir, por ndryshoi axhendën në momentet e fundit, duke zgjedhur Tirana-n si kundërshtare për testin e 25 korrikut.
Takimi do të zhvillohet në “Bolu Von Resort 1 Nolu Sala” dhe do të nisë në orën 16:00 me orën shqiptare.
Për trajnerin Dean Klafuriç kjo sfidë do të jetë një mundësi e mirë për të parë nga afër gjendjen aktuale të skuadrës dhe për të testuar idetë e tij, ndërsa starti i kampionatit është vetëm një muaj larg.
Interesi i ndeshjes shtohet edhe nga prania te Çorum FK e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, i cili pritet të jetë një nga emrat më të spikatur të përballjes.