Në Itali pyesin për Asllanin, shqiptari mungon dhe e ardhmja mbetet pezull

by KLIKOJE.AL

E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi duket gjithnjë e më larg. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, i cili është pjesë e klubit zikaltër që prej vitit 2022, është përfshirë në listën e lojtarëve që mund të largohen gjatë kësaj merkatoje.

Situata është komplikuar edhe më shumë pas dëmtimit që pësoi gjatë grumbullimit në Gjermani. Për këtë arsye, Asllani nuk udhëtoi me skuadrën për turneun aziatik dhe ka qëndruar në Itali, ku po vijon programin e rikuperimit dhe stërvitjes.

Interi këtë herë nuk po mendon për një tjetër huazim, por për shitjen përfundimtare të shqiptarit. Klubi zikaltër po punon për t’i gjetur një sistemim të përshtatshëm, ndërsa vlera e kartonit raportohet në rreth 10-12 milionë euro.

Që prej transferimit në vitin 2022, Asllani nuk ka arritur të fitojë një vend të padiskutueshëm në formacionin zikaltër. Ai u transferua nga Empoli për rreth 14 milionë euro, por aventurën në Milano nuk ka mundur ta shndërrojë në një rol të rëndësishëm.

Sezoni i fundit ishte veçanërisht i komplikuar për mesfushorin shqiptar. Deri në janar ai ishte pjesë e Torinos, ku regjistroi 15 paraqitje, ndërsa më pas u transferua te Besiktashi. Me klubin turk luajti 14 ndeshje dhe shënoi 2 gola.

Pas rikthimit në Milano, sinjalet nuk kanë qenë pozitive. Në miqësoren e parë të sezonit, trajneri Chivu e aktivizoi Asllanin në qendër të mbrojtjes, një zgjedhje e diktuar nga mungesat, por që gjithsesi tregon se shqiptari nuk duket pjesë e rëndësishme e projektit të së ardhmes.

Tashmë Asllani pret zgjidhjen e situatës, ndërsa Interi kërkon një klub që të plotësojë kërkesat për kartonin e tij. Nuk përjashtohet mundësia që operacioni të konkretizohet në ditët e fundit të merkatos.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.