Vllaznia merr një fitore me shumë peshë në “Loro Boriçi”, duke mposhtur 1-0 Elbasanin në një përballje direkte mes dy skuadrave që luftojnë për objektiva të rëndësishëm në kampionat.
Një gol i Uldedajt në minutën e 45-të ka vendosur fatin e kësaj sfide, duke i dhënë shkodranëve tri pikë me vlerë të madhe. Aksioni vendimtar u ndërtua nga Marku, i cili depërtoi deri në vijën fundore në krahun e majtë dhe pasoi në qendër, aty ku Uldedaj u tregua i saktë përballë portës, duke dërguar topin në rrjetë.
Pas golit, Vllaznia administroi avantazhin, ndërsa Elbasani nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës për të ndryshuar fatin e takimit.
Kjo fitore merr një rëndësi të veçantë edhe për renditjen. Vllaznia ngjitet në vendin e shtatë me 12 pikë, ndërsa Elbasani mbetet në vendin e pestë me 14 pikë.
Për trajnerin Glen Daja kjo është humbja e parë në stolin e Elbasanit, ndërsa për Vllazninë një triumf që mund të shërbejë si pikë kthese në vazhdimësinë e kampionatit.