Drita ka marrë një vendim surprizë për stolin pas largimit të Zekirija Ramadanit. Kampionët e Kosovës kanë zgjedhur një emër të njohur për ta drejtuar skuadrën: Ardian Nuhiu rikthehet në krye të Intelektualëve pas tre vitesh.
Nuhiu rikthehet te Drita pas aventurave të fundit te Shkëndija, Gjilani dhe Tirana, ku rezultatet nuk ishin ato që priteshin.
Tekniku 47-vjeçar e njeh mirë ambientin e Dritës, pasi gjatë aventurës së parë në krye të skuadrës arriti të shkruante histori, duke fituar titullin e kampionit të Kosovës në sezonin 2019/20.
Aventura e fundit e Nuhiut ishte në krye të Tiranës. Me klubin kryeqytetas, ai drejtoi 18 ndeshje, duke regjistruar 4 fitore, 6 barazime dhe 8 humbje.
Tashmë, Nuhiu rikthehet në një ambient që e njeh mirë, me synimin për t’i rikthyer Dritës stabilitetin dhe rezultatet pozitive.