Vllaznia vijon përgatitjet për sezonin e ri, por problemi i golit te sulmuesit kryesorë po kthehet në një kambanë alarmi për trajnerin Edi Martini.
Kuqeblutë fituan 2-0 ndaj Tërbunit në Pukë, falë golave të Kubazit dhe Muratajt, por sërish munguan golat e atyre që pritet të jenë protagonistët kryesorë në ofensivë, Bekim Balaj dhe Perez.Balaj vazhdon të kërkojë golin e parë në këtë fazë përgatitore, ndërsa Perez humbi një mundësi të artë për t’u zhbllokuar. Sulmuesi nuk arriti të shndërronte në gol një 11-metërsh, duke humbur një rast që mund t’i jepte besim përpara startit të kampionatit.
Paraqitjet e Kubazit dhe Muratajt janë një sinjal pozitiv, por nuk mjaftojnë për të fshehur problemin. Vllaznia ka nevojë për golat e Balajt dhe Perezit, sidomos kur kanë mbetur vetëm rreth dy javë nga starti i sezonit.
Koha është ende në favor të kuqebluve, por Martini duhet të gjejë zgjidhjen për të zhbllokuar sulmuesit e tij. Sepse kur të nisë kampionati, golat do të jenë testi i vërtetë.