Pogradeci pritet të ketë një trajner të ri në pankinë. Emiljano Çela ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës, duke mbyllur kështu aventurën e tij me liqenorët.
Largimi i Çelës duket se nuk i ka gjetur të papërgatitur drejtuesit e klubit, të cilët prej kohësh po shqyrtonin alternativa të ndryshme për të ndryshuar situatën dhe për t’i dhënë një tjetër impuls ekipit, pas rezultateve jo bindëse.
Sipas raportimeve të “Panorama Sport”, drejtuesit e Pogradecit kanë arritur tashmë një marrëveshje me trajnerin që pritet të marrë drejtimin e skuadrës. Bëhet fjalë për Dritan Mehmetin, një emër mjaft i njohur në futbollin shqiptar.
Mehmeti ka një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin elitar, ku ka drejtuar ekipe me traditë si Dinamo dhe Partizani, duke pasur edhe përvojë në arenën europiane.
Për zyrtarizimin e tij te Pogradeci mbetet vetëm firma në kontratë. Pas këtij hapi, tekniku pritet të nisë menjëherë punën me skuadrën, e cila prej tre sezonesh synon ngjitjen në Kategorinë Superiore.