Partizani po vijon intensivisht përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Florin Bratu, ndërsa atmosfera në kampin e të kuqve duket gjithnjë e më pozitive. Pas një sezoni zhgënjyes që i la jashtë kupave të Europës, objektivi tashmë është ndërtimi i një skuadre konkurruese për rikthimin në majat e futbollit shqiptar.
Në seancën e fundit stërvitore, protagonisti absolut ishte Xhuliano Skuka. Sulmuesi i Partizanit dhuroi një moment spektakolar, duke realizuar një supergol me rrofeshatë që mori menjëherë duartrokitjet e stafit teknik dhe shokëve të skuadrës.
Goli është një sinjal i qartë se Skuka po kalon një formë shumë të mirë fizike dhe duket i motivuar për të qenë pika e referimit në repartin ofensiv të Partizani-t. Florin Bratu pret shumë prej bomberit në sezonin e ri, ndërsa paraqitje të tilla vetëm sa rrisin besimin se sulmuesi mund të rikthehet protagonist dhe të udhëheqë të kuqtë drejt objektivave të tyre.