Humbja në shtëpi ndaj Kukësit ka sjellë pasoja të menjëhershme te Burreli. Trajneri Samuel Nikaj ka vendosur të japë dorëheqjen, duke mbyllur kështu aventurën në krye të skuadrës matjane.
Burreli pësoi një disfatë të hidhur në javën e shtatë të Kategorisë së Parë. Edhe pse pjesën e parë e mbylli në avantazh, skuadra nuk arriti ta ruante epërsinë, me Kukësin që përmbysi gjithçka dhe triumfoi me rezultatin 1-2.
Ky rezultat duket se ka qenë pika e fundit për teknikun 48-vjeçar, i cili drejtonte Burrelin që nga korriku i vitit të kaluar.
Skuadra matjane po kalon një fillim të vështirë të sezonit. Pas shtatë javësh kampionat, Burreli ka grumbulluar vetëm 6 pikë dhe renditet në vendin e parafundit, një pozicion që shton presionin mbi ekipin dhe objektivat e tij.
Tashmë, pas dorëheqjes së Samuel Nikajt, mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e Burrelit në vazhdim të sezonit.