Vllaznia surprizon me zgjedhjen, në stol vjen trajneri që ka drejtuar Uganda-n dhe Lituaninë (FOTO)

by KLIKOJE.AL

Vllaznia ka gjetur pasuesin e Martinit. Në stolin e skuadrës shkodrane pritet të ulet tekniku hungarez Csaba Laszlo, me të cilin klubi ka arritur një marrëveshje për një vit.

62-vjeçari hungarez sjell në Shkodër një eksperiencë të gjerë ndërkombëtare, si në drejtimin e skuadrave kombëtare, ashtu edhe në atë të klubeve. Gjatë karrierës së tij, Laszlo ka drejtuar përfaqësueset e Ugandës dhe Lituanisë, ndërsa në Hungari ka qenë pjesë e stafit teknik të kombëtares si ndihmës trajner.

Në nivel klubesh, eksperienca e tij e fundit ishte me Sepsi OSK në Rumani, aventurë që zgjati vetëm tre ndeshje. Megjithatë, CV-ja e trajnerit hungarez përfshin disa emra të njohur të futbollit europian, mes tyre Ferencvarosh, Hearts, Charleroi dhe Dundee.

Laszlo ka pasur gjatë karrierës edhe role të ndryshme brenda klubeve. Te MTK Budapest ka punuar fillimisht si skaut, përpara se të merrte drejtimin e skuadrës si trajner. Ndërkohë, te Csikszereda në Rumani ka mbajtur edhe postin e drejtorit teknik.

Tekniku hungarez ka marrë edhe vlerësime individuale për punën e tij. Në vitin 2005, ai u shpall “Trajneri i Vitit” në Hungari, pasi udhëhoqi Ferencvaroshin drejt një aventure europiane. Katër vite më vonë, në 2009, mori të njëjtin vlerësim në Skoci nga shoqata e gazetarëve, pas paraqitjeve të mira në krye të Hearts.

Tashmë, sfida e radhës për Csaba Laszlo pritet të jetë në Shkodër, ku do të marrë drejtimin e Vllaznisë me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për të rikthyer kuqeblutë në objektivat e tyre sezonalë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.