Dinamo po vijon përgatitjet gjatë pauzës së kampionatit, me stafin teknik që po i kushton një rëndësi të veçantë aspektit fizik të futbollistëve.
Në seancat e fundit, Erjon Hoxhallari dhe Eridon Qardaku kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar. Dy lojtarët kanë shfaqur lodhje muskulore si pasojë e ngarkesës fizike, ndaj stafi ka preferuar të mos marrë asnjë rrezik dhe të menaxhojë me kujdes situatën.
Gjendja e Hoxhallarit dhe Qardakut po monitorohet nga afër, ndërsa ditët në vijim do të jenë vendimtare për të parë reagimin e tyre dhe momentin kur mund t’i rikthehen punës normale me grupin.
Ndërkohë, te Dinamo vjen edhe një lajm pozitiv. Faton Neziri pritet t’i bashkohet sot skuadrës, pasi ka përfunduar periudhën e rikuperimit në Itali. Pas një programi individual dhe pune të specializuar për rikthimin në formën optimale, Neziri do të nisë gradualisht stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit.
Në kampin dinamovit, objektivi është i qartë: menaxhimi maksimal i ngarkesës fizike dhe shmangia e çdo dëmtimi të mundshëm. Stafi teknik nuk dëshiron të nxitojë me futbollistët që kanë shfaqur shenja lodhjeje, duke synuar që të gjithë të jenë në kushtet më të mira për vazhdimin e sezonit.