Flamurtari vijon të hedhë themelet e projektit për sezonin e ri, duke zyrtarizuar një tjetër emër të rëndësishëm në strukturat drejtuese të klubit. Fabjan Beqja është emëruar drejtori i ri sportiv i kuqezinjve, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij pas largimit nga futbolli i luajtur.
Ish-mbrojtësi durrsak, i cili së fundmi ishte pjesë e Besës, ka vendosur të varë këpucët në gozhdë në moshën 32-vjeçare dhe të kalojë në rolin e drejtuesit. Beqja konsiderohej një nga talentet më premtues të Teutës në vitet e para të karrierës, ndërsa më pas veshi fanellat e disa skuadrave të njohura, mes tyre Flamurtari dhe Gjilani.
Emërimi i tij vjen vetëm pak orë pasi vlonjatët prezantuan Oltijon Kërnajën si trajnerin e ri, duke treguar qartë se klubi po lëviz me ritme të shpejta për ndërtimin e ekipit dhe stafit për edicionin e ardhshëm.
Në njoftimin zyrtar, Flamurtari i uroi mirëseardhjen Beqjës dhe sukses në realizimin e objektivave të përbashkëta me klubin.