Egnatia nuk i ndahet Teutës, “shuplakë” Vllaznisë në Rrogozhinë! Rikthehen telashet për shkodranët (video)

by KLIKOJE.AL

Egnatia nuk ndalet! Skuadra rrogozhinase ka marrë një fitore të rëndësishme me shifrat 3-1 ndaj Vllaznisë, në ndeshjen që mbylli javën e kampionatit në Kategorinë Superiore. Kampionët treguan forcën e tyre përballë shkodranëve, duke siguruar tri pikë të çmuara që i mbajnë në ndjekje të Teutës dhe u japin mundësinë të blindojnë vendin e dytë. Sfida nisi me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 9-të. Albaneze u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë Egnatias epërsinë dhe duke vënë në vështirësi që në fillim skuadrën kuqeblu.

Vllaznia u përpoq të reagonte, por Egnatia vijoi të ishte këmbëngulëse dhe gjeti golin e dytë në minutën e 41-të. Ishte Adjesa ai që dërgoi topin në rrjetë, duke i çuar rrogozhinasit në dhomat e zhveshjes me një avantazh të dyfishtë, në një moment shumë të rëndësishëm të takimit. Në pjesën e dytë, shkodranët u rikthyen në lojë. Në minutën e 59-të, Perez ngushtoi diferencën në 2-1 dhe rihapi përkohësisht sfidën, duke rikthyer shpresat e Vllaznisë për të dalë me rezultat pozitiv nga Rrogozhina.

Megjithatë, shpresat e miqve u shuan në minutat e fundit. Në të 86-ën, Gruda realizoi golin e tretë për Egnatian, duke vulosur fitoren 3-1 dhe duke konfirmuar triumfin e vendasve.

Me këtë sukses, Egnatia konfirmon ambiciet e saj në kampionat dhe nuk lejon që Teuta të shkëputet në garën e kreut. Rrogozhinasit ruajnë pozicionin e dytë dhe vazhdojnë të jenë një kundërshtar i fortë në garën për objektivat sezonalë, pavarësisht impenjimit të madh në Europë gjatë mesjavës.

Nga ana tjetër, për Vllazninë rikthehen telashet. Pas fitores ndaj Dinamos, që kishte dhënë shenja ringritjeje, humbja në Rrogozhinë është një goditje për kuqeblutë. Mbrojtja e brishtë dhe vështirësitë për të përballuar presionin e kundërshtarit i kushtuan shtrenjtë skuadrës shkodrane, e cila tashmë duhet të reagojë në ndeshjet e ardhshme për të mos humbur më shumë terren në renditje.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.