Erzeni i Shijakut ka nisur riorganizimin e skuadrës pas largimit të thuajse gjithë grupit të sezonit të kaluar, përfshi edhe stafin teknik. Ish-sulmuesi i njohur shijakas, Justin Bespalla, është emëruar tashmë në krye të pankinës së Erzenit.
Për trajnerin 45-vjeçar është një rikthim në ekipin e parë, pasi ka qenë afër tij edhe në ditët më të vështira, kur ka qenë pjesë e Kategorisë së Dytë. Pas dakordësisë së bashkisë Shijak dhe shoqatës së klubit Erzeni për buxhetin që do të ketë në dispozicion të skuadrës këtë sezon në Kategorinë e Parë, menjëherë drejtuesit i besuan Justin Bespallës ringritjen e ekipit.
Duke njohur mirë edhe situatën në klub, por mbi të gjitha akademinë e klubit shijakas, Bespalla prej disa ditësh ka nisur stërvitjen me një grup të rinj lojtarësh, që mendohet se do të jenë baza e skuadrës së këtij sezoni.