Ëndërron çdo futbollist një debutim të tillë dhe Erald Maksuti e bëri realitet. Sulmuesi shqiptar gjeti rrugën e rrjetës vetëm pak minuta pasi zbriti në fushë me fanellën e Akhmat Groznit.
22-vjeçari shkodran e nisi në mënyrën më të mirë aventurën e tij në kampionatin rus. Në ndeshjen e javës së parë ndaj Lokomotivës së Moskës, Maksuti u hodh në lojë në minutën e 78-të dhe nuk vonoi të linte gjurmë.
Vetëm pesë minuta më pas, sulmuesi shqiptar realizoi golin e barazimit, duke vulosur rezultatin 1-1 dhe duke i siguruar një pikë të vlefshme skuadrës së tij në debutim.
Transferimi i Maksutit te Akhmat Grozni u finalizua gjatë merkatos së verës, pas paraqitjeve pozitive që pati me Flamurtarin sezonin e kaluar. Edhe pse skuadra vlonjate nuk arriti të shmangte rënien nga kategoria, paraqitjet e sulmuesit shqiptar bindën klubin rus të investonte tek ai.
Debutimi me gol është sinjali më i mirë i mundshëm për Maksutin, i cili shpreson të kthehet në një nga protagonistët e kampionatit rus.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Vetëm 5 minuta në fushë, mjaftojnë për gol! Erald Maksuti shpërthen në Rusi (video) […]
Comments are closed