Miliona euro për vetëm dy raunde! Anthony Joshua u rikthye në ring me një fitore bindëse ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, ndërsa të dy arkëtuan shifra marramendëse.
Pas shtatë muajsh larg ringut, Anthony Joshua regjistroi një rikthim spektakolar duke e mposhtur me nokaut në raundin e dytë Kristian Prengën në Jeddah Superdome, në Arabinë Saudite.
Britaniku zhvilloi ndeshjen e parë pas fitores ndaj Jake Paul në fund të vitit të kaluar, duke lënë pas edhe periudhën e vështirë pas aksidentit tragjik në Nigeri, ku humbi dy miq të afërt.
Përtej rezultatit në ring, vëmendjen e madhe e kanë marrë edhe milionat që qarkulluan në këtë duel. Edhe pse shifrat nuk janë konfirmuar zyrtarisht, mediat ndërkombëtare raportojnë se fondi total i ndeshjes ishte rreth 5.7 milionë euro.
Sipas këtyre raportimeve, Joshua përfitoi rreth 4.6 milionë euro, ndërsa shqiptari Kristian Prenga arkëtoi afro 1.1 milionë euro, pagesa më e madhe e karrierës së tij.
Promotori amerikan Lou DiBella u shpreh se Prenga e kupton mirë vlerën e kësaj mundësie financiare.
“Ai e di që ka goditur xhekpotin. Edhe një e dhjeta e kësaj shume do të ishte më shumë se gjithçka që ka fituar gjatë gjithë karrierës së tij,” deklaroi DiBella.
Nga ana tjetër, promotori Eddie Hearn bëri të ditur se kjo ndeshje ishte vetëm një hap drejt supersfidës së shumëpritur mes Anthony Joshuas dhe Tyson Furyt, e cila pritet të zhvillohet më vonë gjatë këtij viti.
Sipas raportimeve, përballja me Furyn mund t’i sjellë Joshuas fitimin më të madh të karrierës, me të ardhura që mund të arrijnë në shifra nëntëshifrore falë investimeve kolosale të Arabisë Saudite.