Tirana ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të majtë spanjoll Hugo Fresneda Hidalgo, i cili do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin 2026/27.
Futbollisti 18-vjeçar vjen nga akademia e RCD Mallorca, ku është formuar si lojtar dhe konsiderohet një nga talentet premtues të brezit të tij. Transferimi te Tirana shënon edhe eksperiencën e parë të tij jashtë futbollit spanjoll.
Fresneda ishte pjesë e ekipit Juvenil A (U-19) të Mallorca-s dhe gjatë këtij viti tërhoqi vëmendjen e mediave spanjolle, të cilat i kushtuan artikuj vlerësues për potencialin e tij.
Sipas raportimeve në Spanjë, kontrata e mbrojtësit me Mallorca-n ishte e vlefshme deri në vitin 2027 dhe ai kishte zgjuar interesin e disa klubeve të La Liga-s. Mes tyre ishte edhe Sevilla, e cila kishte tentuar ta transferonte në ekipet e moshave, por oferta e saj u refuzua.
Tashmë, Hugo Fresneda Hidalgo nis një kapitull të ri në karrierë me fanellën bardheblu, ku Tirana synon të investojë te talentet e rinj dhe t’i japë hapësirë zhvillimit të tyre.