Një nga çështjet më të nxehta te Egnatia në këtë merkato lidhet me të ardhmen e kapitenit Albano Aleksi. Burime të Klikoje Sport bëjnë me dije se marrëdhënia mes mesfushorit dhe trajnerit të ri Nevil Dede është krisur, duke e kthyer në pikëpyetje vazhdimësinë e 33-vjeçarit në Rrogozhinë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Klikoje Sport, Nevil Dede ia ka bërë të qartë mesfushorit se nuk e konsideron pjesë të planeve të tij. Krisja mes palëve ka ardhur pas kartonit të kuq të Aleksit në sfidën ndaj Petrocub, si dhe gabimit në ndeshjen e parë, nga i cili erdhi goli i pësuar. Trajneri nuk e ka pëlqyer mënyrën se si u menaxhuan ato momente dhe që prej atëherë kapiteni nuk është preferuar më si titullar.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar për faktin se Aleksi rinovoi së fundmi kontratën edhe për dy sezone të tjera. Pikërisht kjo kontratë është kthyer në pengesën kryesore për një ndarje të mundshme.
Mësohet se mesfushori ka zhvilluar një takim me presidentin Agim Demrozi, ku ka bërë të qartë se nëse klubi dëshiron ta ndërpresë kontratën, duhet ta dëmshpërblejë me 100 mijë euro. Gjithsesi, 33-vjeçari është treguar fleksibël, duke pranuar se do të mjaftohej edhe me pagën e një sezoni.
Një shumë e tillë rëndon ndjeshëm financat e klubit, ndaj si presidenti Demrozi, ashtu edhe trajneri Dede, ndodhen përballë një vendimi delikat. Nga ana tjetër, vetë Aleksi ka shprehur gatishmërinë që, nëse mbetet pjesë e Egnatias, të pranojë edhe rolin e rezervës.