Altin Aliu është një nga goditjet më të rëndësishme të Partizanit në merkaton e kësaj vere. Sulmuesi 26-vjeçar, i cili spikati sezonin e kaluar me fanellën e Malishevës në elitën e futbollit kosovar, është prezantuar zyrtarisht si futbollisti më i ri i “Demave të Kuq”.
Klubi kryeqytetas beson se Aliu do të sjellë më shumë forcë dhe konkurrencë në repartin ofensiv, ndërsa sulmuesi pritet të ketë një rol të rëndësishëm në objektivat e skuadrës për sezonin e ri, si në kampionat ashtu edhe në arenën europiane.
Në prononcimin e tij të parë si lojtar i Partizanit, Aliu nuk e fshehu entuziazmin për këtë hap të ri në karrierë.
“Ndihem shumë i lumtur që i jam bashkangjitur familjes së Partizanit, “Demave të Kuq”. Besoj dhe shpresoj që pritshmëritë dhe arritjet do të jenë të mëdha. Ashtu siç edhe më kanë folur për klubin, ashtu edhe do të organizohemi për objektivat e mëdha që do të kemi.
Do të jetë suksesi më i arritshëm i këtij viti dhe shpresoj që nuk do t’i zhgënjej tifozët”, përfundoi futbollisti i “Demave të Kuq”.