Dinamo fiton duelin e madh me Egnatian, Teuta ruan kreun dhe gara ndizet në Superiore (VIDEO)

by KLIKOJE.AL

Dinamo ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Egnatias, duke triumfuar 2-1 në “Elbasan Arena” në ndeshjen që mbylli javën e tetë të Superiores. Një përballje me shumë peshë për renditjen, ku kryeqytetasit reaguan pas golit të hershëm të miqve dhe përmbysën gjithçka brenda pesë minutash.

Egnatia e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë. Kryeziu provoi nga distanca dhe, me një gjuajtje tokazi, arriti të befasojë portierin Teqja, duke i dhënë epërsinë skuadrës rrogozhinase. Megjithatë, përgjigjja e Dinamos nuk vonoi. Në minutën e 32-të, Vila përfitoi nga një aksion i rrëmujshëm në zonën kundërshtare dhe dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën në “Elbasan Arena”.

Vetëm pesë minuta më vonë, blutë goditën sërish. Pas një aksioni të ndërtuar nga krahu i majtë, Lorran shërbeu në qendër, ku Qefalija përfitoi nga situata dhe realizoi golin e përmbysjes për Dinamon.

Nga një disavantazh që në minutat e para, skuadra kryeqytetase arriti të merrte kontrollin e rezultatit dhe të siguronte tri pikë me rëndësi të veçantë në garën për kreun e kampionatit.

Kjo fitore e ngjit Dinamon në kuotën e 15 pikëve, në vendin e tretë të klasifikimit, duke e afruar me skuadrat e kreut. Nga ana tjetër, Egnatia mbetet në vendin e dytë me 18 pikë dhe humbet mundësinë për të marrë kryesimin pas ndalesës së Teutës.

Një rezultat që rihap edhe më shumë garën në pjesën e sipërme të tabelës, ndërsa Dinamo jep një sinjal të qartë se synon të jetë mes skuadrave që luftojnë për majën e Superiores.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.