Një situatë e tensionuar është regjistruar në Librazhd, gjatë ndeshjes së Kategorisë së Parë mes Sopotit dhe Orikut, e cila përfundoi në barazimin 1-1. Përtej rezultatit në fushën e lojës, vëmendjen e morën përplasjet mes disa tifozëve vendas dhe trajnerit të Sopotit Rrahman Hallaçi.
Pakënaqësitë e një grupi tifozësh ndaj trajnerit lidhen me pretendimin se ai nuk po u jep hapësirën e duhur futbollistëve vendas, duke preferuar më tepër lojtarët afrikanë të skuadrës. Kritikat dhe ofendimet ndaj teknikut nuk munguan gjatë takimit, ndërsa situata u tensionua edhe më shumë në fundin e pjesës së parë. I irrituar nga reagimet e tifozëve, trajneri shkoi drejt tyre, duke nisur një përplasje verbale që rrezikoi të agravonte. U desh ndërhyrja e futbollistëve në fushë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Pas ndeshjes, trajneri Rrahman Hallaçi reagoi publikisht përmes një deklarate, ku theksoi se skuadra nuk përfaqësohet nga një grup i vogël personash, por nga një komunitet i tërë. Ai u ndal gjithashtu te çështja e aktivizimit të lojtarëve dhe hodhi poshtë çdo formë diskriminimi në klub.
“Skuadrën e Sopotit nuk e përfaqësojnë 3 persona, Sopoti është familje e madhe”, u shpreh tekniku, duke theksuar se aktivizimi i futbollistëve bëhet mbi bazën e meritës.
Në deklaratën e tij, trajneri nënvizoi se klubi mirëpret lojtarë nga e gjithë bota dhe se nuk bën dallime mbi baza kombësie apo origjine.
Në fund, ai falënderoi tifozët që e mbështesin skuadrën në mënyrë të vazhdueshme, duke theksuar se misioni i nisur me Sopotit do të vijojë pavarësisht situatave të krijuara.