Vllaznia ka zyrtarizuar ditën e sotme fundin e bashkëpunimit me zëvendëstrajnerin Ergi Borshi, duke mbyllur kështu një kapitull pesëvjeçar të tij me skuadrën shkodrane. Ndonëse ndarja është bërë publike nga klubi, duket se largimi nuk ka qenë dëshira e vetë Borshit. Këtë e ka bërë të ditur edhe ai vetë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku, mes falënderimeve për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, nuk e fsheh lidhjen e veçantë me fanellën kuqeblu.
Borshi ka falënderuar tifozët, futbollistët, drejtuesit dhe stafin teknik me të cilët ka punuar ndër vite, duke veçuar edhe drejtorin Sinani dhe trajnerin Martini. Mes emocioneve dhe mirënjohjes, ai ka përmendur edhe pengun që i mbetet nga kjo periudhë: mungesën e titullit kampion.
“Mbas 5 vjetësh te ekipi jem i zemrës ku u mundova të jepja maksimumin, erdhi momenti që rrugët tona të ndahen këtu. Edhe pse pa dëshirën teme, futbolli i pranon të gjitha. Du t’falenderoj me shpirt të gjithë tifozat kuqeblu për mbështetjen e madhe dhe respektin që më kanë dhanë mu në veçanti, por edhe klubit në çdo hap. Gjithashtu, nji falenderim për çdo koleg dhe pjestar të stafit me të cilet punova krah për krah, veçanërisht drejtorin Sinani dhe trajnerin Martini, ku pengu i vetëm mbetet ai titull kampion. Falenderoj nga zemra çdo futbollist me të cilin kam punu për emocionet, respektin dhe profesionalizmin që kan tregu brenda e jashtë fushe. Një falenderim shkon edhe për presidentin, por edhe ish-drejtorin Osmani që ma dhanë këtë mundësi.
Nuk mund ndalem pa përmend familjen teme dhe shokët e mi për mbështetjen e palëkundun, sidomos në ditët ma të vështira.
E të fundit, por kurrë nga rëndësia, janë djemtë e mrekullueshëm VLLAZNIT ULTRAS, që pavarësisht çdo vështirësie e rezultati, nuk na lanë kurrë vetëm, por ishin aty për ne. Nuk po ju them lamtumirë, sepse Vllaznia për mu nuk asht thjesht nji vend pune. Asht pjesë e jetës teme, asht shtëpia jeme.