Tirana ka realizuar një nga lëvizjet më të rëndësishme të kësaj merkatoje, duke zyrtarizuar afrimin e sulmuesit kosovar Drilon Hazrollaj. Bardheblutë kanë bërë të ditur përmes faqes zyrtare se 22-vjeçari i bashkohet skuadrës në formë huazimi nga FC Rapid 1923, me opsion blerjeje në përfundim të sezonit.
Marrëveshja mes dy klubeve i jep mundësinë Tiranës ta transferojë përfundimisht lojtarin, sipas kushteve të dakordësuara. Kujtojmë se Rapid Bukureshti e kishte blerë kartonin e Hazrollajt për një shumë të raportuar prej 900 mijë eurosh.
Eksperienca e tij në Rumani nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi dëmtimet ndikuan ndjeshëm në aktivizimin e sulmuesit. Ai regjistroi rreth 300 minuta në 14 ndeshje, pa arritur të shënojë apo të japë asist.
Pas firmës, Hazrollaj u shpreh i entuziazmuar për aventurën e re.
“Tirana është një klub i madh, ka qenë një zgjedhje e lehtë, besoj te projekti dhe kjo më jep siguri për të ardhmen. Jam një lojtar që jap maksimumin, driblues, do bëj gjithcka për klubin. Tifozët do e shohin në që në cdo ndeshje do jap më të mirën. Tirana është një klub që ka fituar gjithmonë trofe dhe shpresoj të fitoëj sa më shumë me Tiranën. Premtim që bëj për veten? Të jap 100% në fushë dhe të mos dal i zhgënjyer duke menduar që nuk kam dhënë maksimumin. Tifozët e Tiranës mezi pres ti takoj dhe të festojmë së bashku me fitoret tona.”