Tirana ka dhuruar një përgjigje të fortë në derbin e kryeqytetit, duke e mposhtur Partizanin 1-3 në supersfidën e javës së 6-të të Abissnet Superiores. Bardheblutë kanë treguar efikasitet përpara portës, duke ndëshkuar të kuqtë në momentet kyçe të takimit dhe duke e kthyer këtë përballje në një mbrëmje të hidhur për rivalët e tyre historikë.
Derbi nisi me emocione të forta që përpara vërshëllimës së parë, teksa disa orë para ndeshjes pati edhe përplasje mes tifozëve. Në fushë, tensioni dhe presioni ishin po aq të mëdha, pasi të dyja skuadrat vinin në këtë përballje pa bindur plotësisht në javët e para të kampionatit. Tirana goditi e para që në minutën e 7-të. Ishte Xhixha ai që mori përsipër një goditje nga distanca, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke ndezur festën bardheblu. Një nisje ideale për skuadrën e Klafuriç, që kërkonte të merrte kontrollin e një derbi ku presioni ishte i jashtëzakonshëm.
Partizani reagoi dhe në minutën e 36-të gjeti golin e barazimit. Skuka bëri mirë në krahun e djathtë, shmangu Vitijan dhe u shfaq përpara Bekajt, përpara se të pasonte për Himallarin. Ky i fundit nuk gaboi nga një pozicion i favorshëm, duke rikthyer ekuilibrin dhe duke rihapur plotësisht sfidën.
Megjithatë, në pjesën e dytë, Tirana gjeti momentin për të goditur sërish. Në minutën e 79-të, një kombinim i bukur mes Ilievskit dhe Kishit përfundoi me topin te Ilievski, i cili u shfaq përballë Qirkos dhe e mposhti me një goditje të fortë. Një gol që i dha avantazhin bardhebluve dhe tronditi planet e Partizanit.
Vetëm katër minuta më vonë, Tirana fitoi edhe një penallti. Hazrollaj u pengua nga Janjeva dhe gjyqtari tregoi pikën e bardhë. Kish mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi, duke e çuar rezultatin në 1-3 dhe duke e bërë edhe më të rëndë situatën për të kuqtë.
Një derbi me emocione, gola dhe tension, që mund të ketë pasoja të rëndësishme për të dyja skuadrat. Për Tiranën, kjo është një mundësi për të marrë frymë dhe për të fituar besim pas një starti jo bindës. Për Partizanin dhe trajnerin Bratu, ndërkohë, disfata në një ndeshje të tillë rrit presionin dhe rikthen pikëpyetjet mbi ecurinë e skuadrës.