Elbasani po vijon punën për ndërtimin e skuadrës që do të synojë objektiva madhorë në sezonin e ri dhe sytë e drejtuesve verdheblu janë kthyer nga Bylisi. Burime pranë klubit bëjnë me dije se elbasanasit kanë shfaqur interes konkret për dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës ballshiote, mbrojtësin Fabjan Përndreca dhe mesfushorin Aboubacar Camara.
Të dy futbollistët kanë spikatur me paraqitjet e tyre gjatë sezonit të fundit dhe konsiderohen si elementë që mund t’i japin më shumë cilësi dhe eksperiencë Elbasanit. Përndreca shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin defensiv, ndërsa Camara vlerësohet për forcën fizike dhe aftësinë për të diktuar ritmin e lojës në mesfushë.
Megjithatë, transferimi i tyre nuk pritet të jetë një mision i lehtë. Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga dy prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës dhe është i vendosur të negociojë vetëm nëse në tavolinë mbërrin oferta e duhur.
Në Ballsh janë të vetëdijshëm për interesimin që ekziston për lojtarët e tyre dhe nuk përjashtohet mundësia që bisedimet mes klubeve të intensifikohen në ditët në vijim. Gjithsesi, deri në këtë moment nuk ka asnjë marrëveshje konkrete dhe gjithçka mbetet në fazën e kontakteve paraprake.
Merkatoja sapo ka hyrë në fazën më të nxehtë dhe duket se Elbasani është i vendosur të bëjë lëvizje të rëndësishme për të rritur konkurrencën në skuadër, ndërsa Bylisi synon të mbajë bërthamën e ekipit për sezonin e ardhshëm.


1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Elbasani “hedh grepat” në Ballsh, dy yje të Bylisit në radarët verdheblu […]
Comments are closed