Elbasani e ka nisur me humbje fazën përgatitore verore, teksa është mposhtur me rezultatin e thellë 3-0 nga Deçiçi i Tuzit në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Zlatibor të Serbisë.
Skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenovic nuk arriti të shfaqte nivelin e pritur përballë kuqezinjve të Tuzit, të cilët u treguan më konkretë dhe dominues gjatë gjithë takimit, duke siguruar një fitore të pastër.
Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një sfidë testuese në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, kjo humbje shërben si një sinjal për stafin teknik, i cili pritet të analizojë me kujdes problemet e evidentuara në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj BATE Borisov në raundin e parë të Conference League.
Trajneri Gvozdenovic dhe stafi i tij do të kërkojnë reagim në miqësoret e radhës, me synimin për të paraqitur një Elbasani më konkurrues në sfidat europiane.