Egnatia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ëndrrës europiane, edhe pse nuk shkoi më shumë se një barazim spektakolar 3-3 ndaj Çeljes në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të UEFA Champions League. Në “Arena Egnatia” u zhvillua një sfidë me ritëm të lartë dhe plot emocione, ku kampionët e Shqipërisë reaguan tre herë ndaj avantazheve të skuadrës sllovene.
Rrogozhinasit kaluan të parët në epërsi që në minutën e 7-të me Eneo Bitrin, por Çelje reagoi duke barazuar në fundin e pjesës së parë me Kvesiç. Në fraksionin e dytë, Kucys përmbysi rezultatin në 2-1, ndërsa Fernando riktheu menjëherë baraspeshën me një supergol.
Miqtë kaluan sërish në avantazh falë golit të dytë të Kvesiç, por Egnatia nuk uli ritmin. Në minutën e 78-të, Diabata realizoi golin e 3-3, duke bërë që gjithçka të mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit.
Pas këtij barazimi spektakolar, verdikti për skuadrën që do të sigurojë biletën për në turin e tretë kualifikues të Champions League do të jepet javën e ardhshme në Slloveni, ku Egnatia do të kërkojë të vazhdojë historinë e saj në arenën europiane.