Dinamo e nisi me këmbën e mbarë aventurën në transfertën ndaj Aluminij, por nuk arriti ta ruajë avantazhin, duke u ndalur në një barazim 1-1 në sfidën e vlefshme për turin e dytë të UEFA Conference League.
Skuadra kryeqytetase hyri me besim në fushë dhe goditi që në minutën e 15-të. Hekuran Berisha përfitoi në mënyrën më të mirë nga një gabim i mbrojtjes së vendasve, rrëmbeu topin dhe e dërgoi me qetësi në rrjetë, duke kaluar Dinamon në avantazh dhe duke i dhënë bardhebluve një nisje ideale.
Pas golit, Dinamo administroi mirë lojën për pjesën më të madhe të takimit, duke frenuar përpjekjet e Aluminij dhe duke kërkuar rastin për të goditur në kundërsulm. Vendasit shtuan presionin në minutat e fundit, ndërsa skuadra shqiptare u përpoq të mbronte rezultatin.
Kur dukej se fitorja ishte shumë pranë, në minutën e 83-të erdhi momenti që ndryshoi fatin e sfidës. Një pasim i gabuar i portierit Teqja u shfrytëzua nga Aliji, i cili nuk fali përballë portës dhe realizoi golin e barazimit 1-1, duke rikthyer në lojë Aluminij.
Minutat e mbetura nuk prodhuan ndryshim rezultati, me sfidën që u mbyll 1-1. Dinamo largohet nga transferta me keqardhjen se ishte shumë pranë një fitoreje të rëndësishme, por edhe me gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, ku do të kërkojë të sigurojë kualifikimin para tifozëve të saj.