Një tjetër emër i rëndësishëm pritet të mbyllë bashkëpunimin me Elbasanin. Pas largimit të Sigitas Olberkis, gjithçka tregon se edhe Blaise Tsague nuk do të jetë pjesë e verdhebluve në sezonin e ardhshëm.
Sipas burimeve pranë klubit dhe lojtarit, palët nuk kanë arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës, çka do të bëjë që sulmuesi kamerunas të largohet si lojtar i lirë, duke i dhënë fund një eksperience dyvjeçare me ekipin elbasanas. Tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi nga klubi.
26-vjeçari ishte një nga lojtarët më të spikatur të sezonit të fundit. Me 11 gola në 37 ndeshje në të gjitha kompeticionet, Tsague u kthye në një pikë referimi për repartin ofensiv, duke tërhequr interesin e disa skuadrave, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Burime ekskluzive bëjnë me dije se Dinamo ka bërë lëvizje konkrete për të siguruar shërbimet e sulmuesit. Drejtuesit e klubit kryeqytetas e konsiderojnë Tsaguen si profilin ideal për sulmin dhe i kanë paraqitur një ofertë të rëndësishme financiare për ta bindur të transferohet në kryeqytet.
Me largimin e Olberkis dhe atë të pritshëm të Tsagues, Elbasani rrezikon të humbasë dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa Dinamo synon të përfitojë nga situata për të afruar një nga sulmuesit më të spikatur të Superiores.