VIDEO/ Drama në shtesë, shtylla i mohon fitoren Vorës! Elbasani shpëton në sekondat e fundit

by KLIKOJE.AL

Elbasani dhe Vora kanë ndarë nga një pikë në përballjen e javës në Superiore, pas një barazimi 1-1 në një sfidë me emocione, gola dhe dramë deri në sekondat e fundit.

Verdheblutë e nisën më mirë takimin dhe kaluan në avantazh në minutën e 21-të. Një pasim i zgjuar i Boriçit nga krahu i djathtë nxori Mazarin të vetëm përballë portës, me sulmuesin që u tregua i saktë për të mposhtur Harizajn dhe për të ndezur festën në kampin vendas.

Kur dukej se Elbasani do ta mbyllte pjesën e parë në avantazh, Vora reagoi në minutat shtesë. Në minutën e 45’+4’, pas një aksioni të ndërtuar me pasime të shpejta, Karrica lëshoi një gjuajtje të fortë dhe mposhti Aleksovskin, duke rikthyer baraspeshën në rezultat.

Pjesa e dytë nuk prodhoi gola të tjerë, por emocionet nuk munguan deri në fund. Rasti më i madh i ndeshjes erdhi në minutën e 90’+2’, kur Trajkov i vodhi topin portierit Aleksovski dhe gjuajti drejt portës së boshatisur. Kur miqtë po përgatiteshin të festonin një fitore dramatike, shtylla u bë shpëtimtare për Elbasanin, duke mbajtur rezultatin në 1-1.

Në fund, të dyja skuadrat u detyruan të kënaqeshin me nga një pikë, në një takim ku Elbasani ishte shumë pranë humbjes në sekondat e fundit, ndërsa Vora mund të largohej nga fusha me të gjithë pikët. Një barazim me shije të ndryshme për dy skuadrat, me verdheblutë që shpëtuan falë shtyllës dhe miqtë që do të kenë arsye të mendojnë për rastin e artë të shpërdoruar në shtesë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.