Teuta “fluturon” në krye të renditjes, Skënderbeu zhytet në krizë! (video)

by KLIKOJE.AL

Java e 6-të e Kategorisë Superiore ka nisur me fitoren e Teutës, që ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Skënderbeut në Durrës. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova konfirmon formën e shkëlqyer në këtë fillim sezoni, duke vijuar të qëndrojë në krye të renditjes me 16 pikë. Durrsakët e zhbllokuan sfidën në minutën e 16-të, kur Kallaku u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke kaluar vendasit në avantazh. Teuta nuk u mjaftua me kaq dhe në minutën e 31-të dyfishoi shifrat me anë të Pedros, i cili realizoi me kokë pas një aksioni në zonën kundërshtare. Në këtë rast, portieri i Skënderbeut, Alia, nuk reagoi siç duhet.

Në pjesën e dytë, korçarët patën mundësinë të rihapnin takimin. Në minutën e 60-të, Bernardoni priti penalltinë e Bismarkut, por topi përfundoi te Zenullari, i cili e dërgoi në rrjetë. Megjithatë, goli u anulua, pasi lojtari i Skënderbeut kishte hyrë në zonë para ekzekutimit të penalltisë.Vështirësitë për Teutën shtohen në minutën e 73-të, kur Muço Boçi ndëshkohet me karton të kuq për një reagim josportiv ndaj mesfushorit Drame. Edhe ky i fundit u ndëshkua me karton të verdhë, por inferioriteti numerik nuk i pengoi durrsakët të administronin avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.

Me këtë fitore, Teuta ngjitet në kuotën e 16 pikëve dhe vijon të kryesojë kampionatin, duke konfirmuar ambiciet për një sezon të suksesshëm. Në krahun tjetër, situata te Skënderbeu është shqetësuese: korçarët mbeten në vendin e nëntë me vetëm 3 pikë, larg rezultateve që priteshin në këtë start të kampionatit.

 

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.