Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, është shfaqur sot para mediave për të dhënë këndvështrimin e tij rreth ndeshjes së kësaj fundjave të bluve kryeqytetas përballë Vllaznisë. Ai ka theksuar se Dinamo duhej të ishte e kujdesshme në Shkodër, pasi cilësia e kundërshtarit nuk përfaqësohej nga renditja që mbante aktualisht.
Ndërprerja e kampionatit
Ndërprerja e kampionatit ka dy anë të medaljes. Ishim në një moment të mirë, ku kishim arritur disa rezultate pozitive dhe skuadra po performonte mirë. Përtej kësaj, e kishim të nevojshme këtë ndërprerje për rikuperimin e energjive, pasi edhe gjatë periudhës së verës kemi pasur një ngarkesë të madhe për shkak të angazhimit në kualifikueset e Conference League. Gjatë kësaj periudhe nuk e kemi pasur grupin e plotë, pasi Qefalija, Aliji dhe Berisha kanë qenë të angazhuar me ekipet kombëtare, ndërkohë që disa lojtarë të tjerë kanë pasur probleme me dëmtimet.
Përballja me Vllazninë
Kampionati rifillon dhe, pavarësisht se na pret një ndeshje e vështirë me Vllazninë, ne duhet të vazhdojmë në rrugën tonë. Them se do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse nuk duhet ta gjykojmë Vllazninë nga renditja aktuale. Është një skuadër që nuk e meriton atë pozicion, pasi ka zhvilluar ndeshje të mira. E them këtë sepse, gjatë analizave me stafin, kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e tyre, duke qenë se shkodranët janë përballur me kundërshtarët tanë një javë përpara nesh.
Çfarë kërkohet nga skuadra
Ne duhet të jemi maksimalisht të përqendruar dhe të japim 100% në fushën e lojës. Në Shkodër, ndaj Vllaznisë, kemi zhvilluar gjithmonë ndeshje të bukura, ku nuk ka munguar spektakli. Megjithatë, duhet të tregohemi pragmatistë, sepse na pret një transfertë e vështirë.
Mungesat në skuadër
Kemi disa mungesa dhe më e rëndësishmja është ajo e kapitenit Bruno Dita, pasi dihet vlera e Brunos për skuadrën. Pavarësisht mungesave, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira me lojtarët që do të zbresin në fushë, duke qenë se këtë sezon kemi një grup më të zgjeruar.