Egnatia ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Tiranën me rezultatin 1-2 në përballjen e vlefshme për javën e 10-të të Abissnet Superiore. Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede reagoi pas disavantazhit të hershëm dhe arriti të përmbyste gjithçka, duke dalë me tri pikë nga kjo sfidë.
Tirana e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa Hazrollaj gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e katërt, duke kaluar bardheblutë në avantazh. Megjithatë, Egnatia nuk u dorëzua dhe nisi gradualisht të marrë kontrollin e lojës.
Reagimi i rrogozhinasve u konkretizua me golin e Loukili, i cili riktheu baraspeshën në pjesën e parë. Në vijim, ishte Diabate ai që realizoi golin e përmbysjes, duke vulosur fitoren 1-2 për kampionët në fuqi.
Megjithatë, tri pikët u shoqëruan edhe me shqetësime për stafin teknik të Egnatias. Eneo Bitri u detyrua të largohej nga fusha për shkak dëmtimi që në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës probleme fizike pati edhe Ildi Gruda.
Këto dëmtime vijnë në një moment delikat për Egnatian, që ka përpara edhe angazhimin në Europë. Më 5 nëntor, rrogozhinasit do të përballen me Universitatea Craiova, në një sfidë të rëndësishme në kalendarin e tyre.