Dinamo është mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Auda në transfertën e Letonisë, në sfidën e vlefshme për turin e tretë të Conference League.
Ndeshja u vendos në minutën e 68-të, kur vendasit realizuan një supergol që rezultoi vendimtar. Vetëm tre minuta më pas, situata u vështirësua edhe më shumë për skuadrën e Ilir Dajës, pasi Përndreca u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Dinamon me 10 futbollistë.
Pas një pjese të parë ku Auda ishte më dominuese, Dinamo reagoi në fraksionin e dytë të lojës dhe krijoi disa raste të mira për të gjetur golin e barazimit. Megjithatë, mungoi konkretizimi, ndërsa vendasit arritën të ruanin avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Gjithsesi, kualifikimi mbetet plotësisht i hapur. Verdheblutë do të kenë mundësinë të përmbysin gjithçka në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet më 13 gusht, duke nisur nga ora 21:00, për të përcaktuar skuadrën që do të sigurojë një vend në fazën “play-off” të Conference League.