Partizani e ka mbyllur me fitore një tjetër test miqësor, duke triumfuar 3-2 ndaj Besëlidhjes së Lezhës, në një sfidë që dhuroi përmbysje dhe gola. Lezhjanët e mbyllën pjesën e parë në avantazh 2-1, duke vënë në vështirësi skuadrën e Florin Bratus. Por në fraksionin e dytë, të kuqtë reaguan dhe përmbysën gjithçka.
Human ishte protagonist i takimit për Partizanin, duke realizuar dy gola, në minutat 30’ dhe 64’, ndërsa Kazem vulosi përmbysjen me golin e tretë në minutën e 82-të.“Demat” patën mundësinë për të shënuar edhe më shumë, por shpërdoruan një penallti në pjesën e dytë. Kjo ishte fitorja e pestë radhazi në miqësore për Partizani-n, por trajneri Florin Bratu nuk e fshehu se ende ka punë për të bërë. Tekniku rumun vlerësoi përpjekjen, intensitetin dhe organizimin e skuadrës, duke theksuar se ekipi duhet të përmirësohet më tej përpara nisjes së kampionatit.
“Jam i kënaqur, por jo nga rezultati, por nga përpjekja e skuadrës, intensiteti dhe organizimi. Duhet të bëjmë më shumë e të mendojmë për tifozët tanë. Kampionati fillon tashmë dhe skuadra duhet t’i bëjë tifozët të lumtur”, deklaroi Bratu për faqen zyrtare të Partizanit.