Vllaznia po i afrohet startit të kampionatit dhe këtë fundjavë do të ketë në program testin e fundit miqësor. Kuqeblutë do të përballen me Vorën, një kundërshtar që këtë sezon do të jetë pjesë e elitës dhe që pritet t’i shërbejë Edi Martinit si një provë e rëndësishme përpara ndeshjes së parë zyrtare.
Këtë herë, fokusi nuk do të jetë më te eksperimentet. Pas disa miqësoreve ku trajneri ka pasur mundësinë të provojë skema, lojtarë dhe alternativa të ndryshme, sfida me Vorën pritet të jetë momenti për të hedhur në fushë formacionin që shihet si më i mundshmi për duelin e kampionatit ndaj Skënderbeut.
Pra, për Vllazninë bëhet fjalë për një lloj “prove gjenerale”. Martini do të kërkojë të shohë se sa mirë funksionon skuadra e tij me formacionin bazë, si në organizimin taktik, ashtu edhe në aspektin fizik.
Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe afrimeve të merkatos. Futbollistët e rinj kanë pasur nevojë për kohë për t’u përshtatur me grupin dhe ritmin e skuadrës, ndërsa kjo përballje mund të japë përgjigje më të qarta se kush është gati për të marrë një fanellë titullari që në javën e parë. Edhe kundërshtari e bën testin më domethënës. Vora është një ekip i Superiores dhe përballja me të do t’i japë Vllaznisë mundësinë për të matur forcën ndaj një skuadre që do ta ketë përballë edhe gjatë sezonit.
Pas 90 minutave me Vorën, koha e përgatitjeve do të marrë fund. Të gjitha rrugët do të çojnë drejt sfidës me Skënderbeun, aty ku nuk do të ketë më vend për eksperimente. Në Shkodër kërkohet që prova e fundit të shërbejë për të fiksuar formacionin, për të korrigjuar detajet e mbetura dhe për ta nisur kampionatin me skuadrën sa më të gatshme.