Futbolli vlonjat dhe ai shqiptar është në zi. Agim Bubeqi, një prej emrave të spikatur të brezit të artë të Flamurtarit të viteve ’80, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një karrierë që mbetet e lidhur ngushtë me një prej kapitujve më të paharrueshëm të futbollit shqiptar.
Lajmi i trishtë ka prekur veçanërisht komunitetin sportiv në Vlorë, por jehona e tij ka shkuar përtej kufijve. Edhe mediat serbe i kanë kushtuar vëmendje ndarjes nga jeta të Bubeqit, duke rikthyer në vëmendje historinë e Flamurtarit të famshëm që në vitin 1987 eliminoi Partizanin e Beogradit nga Kupa UEFA. Media serbe “Kurir” ka rikujtuar atë përballje historike dhe rolin e Bubeqit në një prej netëve më të mëdha të futbollit shqiptar në arenën europiane. Përtej rivalitetit sportiv, emri i ish-futbollistit vlonjat ka mbetur i skalitur edhe në kujtesën e tifozëve serbë.
“Kurir” e ka përcjellë lajmin me një titull të fortë, duke e cilësuar Bubeqin si shqiptarin që në vitin 1987 e zhyti Partizanin në zi, ndërsa në shkrim rikthehet historia e Flamurtarit dhe eliminimi befasues i skuadrës së Beogradit. Sipas medias serbe, Bubeqi ishte 63 vjeç dhe, bazuar në raportimet e mediave shqiptare, trupi i tij u gjet në apartament, pasi fqinjët kishin vënë re mungesën e tij prej disa ditësh.
Agim Bubeqi largohet nga kjo jetë, por emri i tij mbetet i lidhur me një nga historitë që ende kujtohen me krenari në futbollin shqiptar: Flamurtari i Vlorës që përballë një prej emrave të mëdhenj të futbollit jugosllav shkroi një faqe të paharrueshme në Europë. Një legjendë e atij Flamurtari iku, por historia e tij dhe e atij brezi do të vazhdojë të kujtohet.