Mjeku personal i legjendës së futbollit Diego Armando Maradona, Leopold Luke deklaroi se argjentinasi vuan nga çrregullimi emocional dhe abuzimi me alkoolin.
Në një televizion argjentinas, mjeku i ikonës së futbollit shtoi se 60-vjeçari vuan nga izolimi i detyrueshëm, i cili i ka shkaktuar çrregullime të forta psikologjike, ndërda një faktor tjetër që provon këtë luhatje psikologjike ia shkakton dhe alkooli.
“Diego ndodhet në një moment të vështirë dhe vuan nga izolimi i detyruar. Ai ka luhatje të vazhdueshme të humorit dhe është i brishtë nga ana emocionale. Edhe alkooli është kthyer në një problem për të. Kur ai konsumon alkool në mënyrë abuzive dhe bëhet i pakontrollueshëm. Ne po merremi me këtë problem”, deklaroi mjeku i Maradonës Leopold Luke.
Mbrëmjen e djeshme, Zenit Sanit Petersburg mposhti me rezultatin 2-1 Krylia Sovetov, falë dy golave të Dzyuba-s me penallti.
Mirëpo ajo që ra në sy në këtë sfidë nuk ishte ndeshja, por spektakli i dhuruar nga tifozët e Zenit në shkallët e stadiumit para fillimit të takimit.
Mbështetësit e ekipit rus kishin krijuar një instilacion gjigant ku shfaqej një njeri me maskë që mbante në dorë virusin Covid-19, i cili më pas u zëvendësua nga një top futbolli, duke lënë të kuptohet se Futbolli është triumfator mbi virusin.
Pas 30 viteve pritje skuadra e Liverpool në Angli është shpallur mbrëmë kampione e Premier Ligës.
Të kuqtë u shpallën kampionë matematikë pasi Manchester City humbi 2-1 në përballjen me Chelsea-n, çka i dha djemve të Klop titullin kampion para kohe.
Fitimi i titullit në këtë fazë ku janë edhe 7 javë kampionat, e bën Liverpoolin skuadrën e parë në historinë e Anglisë që mbyll kaq herët garën për titull.
Në pritje prej 30 vitesh, tifozët e Liverpool mbrëmë kanë shpërthyer në festë! Rrugët e qytetit janë pushtuar nga tifozeria, e cila u zhvendos më pas drejt stadiumit “Anfield Road”.
Me mijëra tifozë në rrugë dhe pa asnjë distancë sociale, policia u shtua dhe gjithashtu u vu re një helikopter që survejonte nga lart.
Largimi i Mario Kapeçes ka vënë në lëvizje drejtuesit e Partizanit për të gjetur një trajner portierësh.
“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klub se menjëherë është emëruar në këtë detyrë Erjon Meta, i cili së fundmi ka qenë përgatitës i portierëve tek Apolonia në Kategorinë e Parë.
Meta vjen pas një eksperience në Angli, ku ka punuar në akademitë e klubeve si Kristal Palas dhe Çarlton Atletik.
Xhenaro Gatuzo ka rigjeneruar Napolin dhe duket se po e mban fjalën e dhënë në konferencën për shtyp të prezantimit të disa muajve më parë, kur deklaronte se ishte në atë klub për të gjetur zgjidhje dhe jo problem. Ndryshimet e 42- vjeçarit kanë prekur skuadrën në rezultate, por edhe individualitete.
Njëri mes tyre është edhe Elseid Hysaj që prej një viti është në listën e profileve më të mundshme për t’u larguar nga klubi jugor. Mbrojtësit të Kombëtares i skadon kontrata në vitin 2021 dhe kjo verë dukej si ajo e duhura për të ndryshuar skuadër. Mundësitë e kësaj lëvizjeje reduktohen ditaditës, pasi, sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, është pikërisht trajneri Gatuzo që këmbëngul për qëndrimin e mbrojtësit të djathtë në skuadrën e tij.
Pak ditë më parë menaxheri i Hysajt deklaronte se lojtari do të largohej, por po i njëjti ka pranuar dje se Napoli po bën gjithçka për ta mbajtur kapitenin e Shqipërisë, duke qenë se është një futbollist polivalent dhe i përshtatshëm për të luajtur në dy korsitë e repartit mbrojtës.
Nuk ka pasur asnjë surprizë në ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë për fazën çerekfinale, ku ekipet që renditen në vendet e para të Superiores kaluan në fazën tjetër të këtij kompeticioni.
Tirana u mjaftuan me një barazim 1-1 në ndeshjen e dytë ndaj Besëlidhjes në Lezhë, e ndihmuar dhe nga rezultati i thellë që kishte marrë në takim e parë.
Kukësi fitoi edhe në ndeshjen e dytë ndaj Apolonisë, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm të takimeve me fjerakët në 5-2.
Pas barazimit 2-2 në takimin e parë, Teuta fitoi në Durrës minimalisht ndaj Vllaznisë për të siguruar një vend në gjysmëfinale.
Mbetet dhe takimi i fundit mes Skënderbeut dhe Bylisit për të plotësuar katërshën e më të mirëve të Kupës, me ballshiotët që e kanë fituar ndeshjen e parë 1-0.
Largimi i Lautaro Marinezit nga Interi gjatë kësaj vere duket i pashmangshëm. Për këtë, klubi italian ka filluar të mendojë për zëvendësimin e argjentinasit.
“Calcio Mercato” shkruan se trajneri i Interit, Antono Conte, e ka identifikuar sulmuesin e Torinos, Andrea Belottin si zëvendësues ideal të Lautaro Martinezit, për të cilin interesimin më të madh e ka shfaqur Barcelona.
Për ta transferuar Belottin, Interi duhet të paguajë rreth 40 milionë euro. Me Torinon, 26-vjeçari ka shënuar 16 gola e 3 asistime në 33 ndeshje në të gjitha garat.
Pas humbjes dhe tronditjes në ndeshjen kundër Laçit e bojkotit të stërvitjes së ditës së hënë nga ana e futbollistëve të Kukësit, tashmë me zgjidhjen e problemeve të financave drejtuesit dhe ekipi janë bërë bashkë për të marrë rezultate pozitive. Është trajneri Orges Shehi, i cili, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” shprehet se natyrisht që i vjen keq për humbjen në Laç, pasi u thellua diferenca me Tiranën, por sërish beson tek ekipi dhe tek arritja e objektivave e ai po punon që ekipi të përmirësohet.
Sa për problemet financiare Shehi shprehet se ai përgjigjet vetëm për anën teknike. Ndonëse nuk e pranon që ka pasur bojkot, tekniku pohon se garancia për të ardhmen janë rezultatet e mira. Ndeshja me Apoloninë? Kupa është prioritet kryesor, ashtu si kampionati.
Sa ndikon humbja në Laç dhe sa i zhgënjyer jeni për mënyrën se si ekipi u soll në fushë? Humbja në Laç na djeg, sepse e dinim që ishte ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet të bënim më mirë. Humbja na thellon distancën me rivalin kryesor, por duhet të punojmë për t’u përmirësuar dhe për të parë përpara.
Besoni ende se mund ta kaloni Tiranën kur kanë mbetur edhe 6 javë dhe jeni 9 pikë pas? Unë e kam thënë dhe më parë se ne si ekip shikojmë vetëm ndeshjen e radhës. Duhet të fitojmë ndeshjen e radhës, pastaj llogaritë i bëjmë në fund. Natyrisht që kemi besim. Do të luftojmë deri në sekondën e fundit për ta fituar titullin, paçka sa pikë jemi mbrapa nga vendi i parë.
Sa kanë ndikuar problemet financiare në skuadër? Unë përgjigjen vetëm për anën teknike, ana financiare nuk është kompetencë imja.
E prisnit që dje të bojkotohej stërvitja? Stërvitja nuk është bojkotuar. E kishim programuar që të hënën ta linim pushim për shumicën e lojtarëve, sidomos për ata që kanë luajtur, pasi kishin marrë shumë ngarkesë fizike këto kohë, ndërsa pjesën që nuk kanë pasur shumë minuta u stërvitën në palestër.
Çfarë garancie keni marrë nga drejtuesit për vazhdimësinë? Drejtuesit kërkojnë t’u rikthehemi rezultateve pozitive. Kam biseduar me presidentin për ndeshjen që kaloi, por dhe për t’u përqendruar te ndeshjet në vijim. Gjithsesi, garancia është vazhdimësia e rezultateve të mira, arritja e objektivave. Unë kam besim te skuadra, kemi futbollistë me mjaft cilësi.
Kupa është një objektiv më i realizueshëm? Kupa ashtu si kampionati është trofe dhe objektiv yni. E kemi vlerësuar siç duhet çështjen e Kupës.
Nesër (sot) do të bëni rrotacion? Do të aktivizojmë lojtarët më të gatshëm për këtë takim, por formacionin do ta vendos nesër (sot).
Barcelona është gati të shesë të paktën dy lojtarë për të mbushur arkat e klubit pas krizës ekonomike nga pandemia. Katalanasit janë shpresëplotë se mund të arrijnë të shesin të paktën dy futbollistë deri në fund të qershorit dhe mendojnë se mund të arkëtojnë deri në 70 milion euro.
Njëri nga lojtarët që duket në ikje është Artur Melo me mesfushorin që mund të transferohet tek Juventus. Një tjetër largim i mundshëm është edhe ai i Todibos me Evertonin dhe Interin që janë të interesuar për lojtarin. Një tjetër emër që është me valixhe në dorë është edhe Nelson Semedo, ku për mbrojtësin interesohen Mançester Siti dhe Juventus.
Edhe Firpo me Vidal nuk përjashtohen si mundësi për tu shitur nga Barcelona.
Për të kuptuar se sa kritike është gjend ja në futbollin shqiptar mjafton bojkoti i futbollistëve të Kukësit ditën e djeshme. Po, po, pikërisht kështu. Një nga klubet më korrekte në dekadën e fundit sa u përket financave ka hasur vështirësi serioze pas pandemisë. Safet Gjici dhe klubi i Kukësit mund të jenë kritikuar për shumë gjëra gjatë këtyre viteve, por kurrë për financat.
Ka qenë një standard i panegociueshëm dhe kjo e ka bërë një ndër klubet më të pëlqyera për lojtarët elitarë të Shqipërisë. Tani situata ka ndryshuar. Pritet që gjërat të zgjidhen shpejt, por ajo e djeshmja është një sinjal se diçka duhet të ndryshojë në të ardhmen ose në të kundërt futbolli dhe sporti në tërësi do të ketë probleme serioze.
NGJARJA
Skuadra e Kukësit bojkotoi stërvitjen e ditës së hënë për shkak se futbollistët pretendonin për rroga të padhëna prej klubit. Drejtuesit e Kukësit u kanë paguar futbollistëve në fillim të muajit qershor rrogën e janarit. Pagesa e rrogës së janarit përkoi para ndeshjes me Laçin. Futbollistët, duke marrë shkas edhe nga katër fitoret radhazi, me të drejtë kanë kërkuar pagesën e muajit shkurt.
Gazeta e përcolli në numrin e datës 17 qershor se para ndeshjes me Flamurtarin futbollistët kishin kërkuar nëpërmjet drejtuesve të klubit zyrtarisht pagat e shkurtit, gjë që u ishte premtuar. Por, edhe mbas ndeshjes me Flamurtarin pagesa në fjalë nuk u krye. Ekipi në këtë kohë mori premion për suksesin e arritur ndaj Partizanit. Gjithashtu, para ndeshjes me Laçin futbollistët sërish kishin ngritur zërin për rrogat, por përgjigjja nga drejtuesit kishte qenë se rrogat dhe premioja për Laçin do të jepeshin mbas fitores ndaj kurbinasve.
Kukësi ndërkohë e humbi ndeshjen, ndërsa pagesa nuk u krye. Kjo nuk u kapërcye dot prej lojtarëve, të cilët dje kanë vendosur të ndërmarrin një hap të tillë për t’i bërë me dije klubit se kanë skaduar të gjitha afatet. Duhet thënë se humbja me Laçin turbulloi dhe më keq ujërat në kampin kuksian, ku kulmi arriti ditën e djeshme kur futbollistët e Kukësit ishin lajmëruar te grupi në “chat” për stërvitjen e radhës në orën 16:30, e cila u refuzua prej tyre.
Futbollistët kanë vepruar në bllok dhe kanë qenë në një mendje. Pati tentativa nga stafi për t’i bindur, por nuk ua ndryshuan dot mendjen. Ultimatumi i lojtarëve ishte që të paguhen ose në të kundërt as në ndeshjen e Kupës nuk do të dalin në fushë. Madje, as në kampionat. Ultimatumi është përcjellë direkt te presidenti Gjici dhe tek administratori i klubit z. Lavdrim Gjici, i cili ka kërkuar të takojë lojtarët.