Tirana vijon fazën përgatitore në Turqi, ku skuadra bardheblu është akomoduar prej disa ditësh në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Krahas punës intensive në fushë, trajneri Tomislav Klafuriç po i kushton një rëndësi të veçantë edhe disiplinës, duke vendosur që në fillim rregulla të qarta për të gjithë grupin.
Tekniku kroat ka afishuar në ambientet e hotelit ku qëndron skuadra një listë me rregulla që duhet të respektohen si nga futbollistët, ashtu edhe nga stafi. Mes tyre bien në sy ndalimi i vonesave në stërvitje, mbledhje, vakte apo nisje me autobus, respektimi i kodit të veshjes, mbajtja e dhomave në rregull, pastrimi i pajisjeve dhe detyrimi për të lëvizur gjithmonë si grup.
Në listë nuk mungojnë as rregulla që lidhen me respektin ndaj stafit teknik, mjekësor dhe atij të kuzhinës, si edhe detyrimi për të informuar në kohë në rast problemesh. Mesazhi i Klafuriç është i qartë: disiplina është baza mbi të cilën do të ndërtohet skuadra e sezonit të ri.
Që në ditët e para të grumbullimit, trajneri kroat ka treguar se nuk do të ketë asnjë tolerim për shkeljet e rregullave. Synimi është krijimi i një ambienti profesional, ku çdo futbollist të ketë përgjegjësi jo vetëm për paraqitjen në fushë, por edhe për sjelljen jashtë saj.
Mos u vononi në stërvitje.
Mos u vononi në mbledhje.
Mos u vononi në mëngjes.
Mos u vononi në restorant.
Mos u vononi te autobusi.
Mos përdorni telefon gjatë kthimit.
Pastroni pjatat tuaja.
Mos debatoni me arbitrin.
Çdo mungesë në stërvitje (penalizim).
Mbani dhomën në rregull.
Lëvizni si grup.
Kodi i veshjes.
Respektoni stafin e gatimit dhe stafin mjekësor.
Pastroni pajisjet.
Urrejtja (ose sjellja e papërshtatshme) do të ketë penalizime të dyfishta.
Rrobat e pista në shportë.
Mos bëni justifikime gjatë stërvitjes.
Tregoni sjellje sportive.
