Tirana është shumë pranë rikthimit të Anton Kresiç. Burime pranë klubit bëjnë me dije se qendërmbrojtësi kroat pritet të firmosë sërish me bardheblutë, pasi palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një bashkëpunim të ri.
30-vjeçari, kartoni i të cilit i përket CFR Cluj, ishte pjesë e Tiranës në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në formë huazimi, duke lënë përshtypje pozitive me paraqitjet e tij. Pas përfundimit të huazimit në fund të majit, mbrojtësi është gati të rikthehet në kryeqytet për sezonin 2026/27.
Gjatë aventurës së fundit te Tirana, Kresiç zhvilloi 17 ndeshje zyrtare, duke grumbulluar 1.184 minuta në fushë dhe u kthye në një nga pikat më të qëndrueshme të repartit difensiv.
Drejtuesit e Tiranës synojnë të mbyllin sa më shpejt marrëveshjen, ndërsa merkatoja nuk pritet të ndalet me kaq. Bardheblutë janë pranë afrimit edhe të një tjetër futbollisti nga kampionati rumun, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik.