Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Policia

  • Kufizimet në pikat kufitare nga koronavirusi/ Policia jep informacion: Ja ku lëvizet lirisht dhe ku kemi kushtëzime

    Kufizimet në pikat kufitare nga koronavirusi/ Policia jep informacion: Ja ku lëvizet lirisht dhe ku kemi kushtëzime

    Nese keni planifikuar rrugë jashtë vendit, duhet të keni mirë parasysh se mundesia për të lëvizur të lirë është e kufizuar, jo vetëm me vëndet e BE-së, që nuk kanë hapur kufijë për ne, por edhe me disa prej fqinjëve.

    Policia e Shtetit informon për situatën e kufizimeve të lëvizjes së shtetasve në kufi, duke ju këshilluar të tregoheni të vëmendshëm, për të evituar bllokimet në pikat doganore.

    Ja situata:

    • me Kosovën: lëvizja e personave dhe e mjeteve është e lirë,

    • me Malin e Zi: mund të lëvizin vetëm personat që posedojnë një dokument të lëshuar nga laboratorët e akredituar të testimit të COVID-19, jo më shumë se 48 orë më parë, ku vërtetohet se rezultojnë negativ në testin PCR,

    • me Maqedoninë e Veriut: lëvizja e personave dhe e mjeteve është e lirë,

    • me Greqinë: lejohet kalimi për shtetasit e pajisur me leje qëndrimi dhe ata të pajisur me pasaporta greke, kamionë dhe për rastet të autorizuara nga autoritetet shtetërore greke;

    • me vendet e tjera të zonës Schengen nuk lejohet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, përveç rasteve të konfirmuara nga autoritetet e këtyre vendeve.

    Për të udhëtuar drejt Shqipërisë kufiri ēshtë i hapur pēr të gjithë shtetasit e huaj apo shqiptarë, sipas rregullave në fuqi.

  • Durrës, ndalohet vjedhësi i banesave të dëmtuara nga tërmeti

    Durrës, ndalohet vjedhësi i banesave të dëmtuara nga tërmeti

    Policia e Durrësit njoftoi se ka ndaluar një 35-vjeçar, i cili dyshohet se ka vjedhur disa banesa të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai është identifikuar si Xh. K., 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. ” Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, gjatë muajve të fundit, ka kryer disa vjedhje në qytetin e Durrësit, duke u futur në banesat e dëmtuara nga tërmeti që janë të braktisura nga banorët, ku ka vjedhur sende dhe orendi të ndryshme” njofton policia. Sipas saj bëhet fjalë për vjedhje të matësave të ujit, matësa të energjisë elektrike, kondicionerë, mobiliet në banesën e një shtetaseje etj.

  • Digjen dy automjeteve gjatë natës në Elbasan

    Dy automjete janë shkrumbuar gjatë natës që lamë pas në qytetin e Elbasanit në harkun kohor të 30 minutave. Fillimisht është djegur një automjet tip Audi në lagjen “Beqir Dardha”, ngjarje e ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm.

    Banorët kanë lajmëruar forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur shuarjen e zjarrit, duke mos lejuar djegien e plotë.

    Ky automjet është në pronësi të drejtorit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

    Ndërkohë, një makinë tjetër është djegur në lagjen “Haxhias” rreth orës 03.30. Flakët kanë shkrumbuar një mjet tip “Peguet”. Ende nuk ka

    Automjeti i djegur sipas burimeve zyrtare është në pronësi të shtetasit Bendi Musai i cili aktuallisht mban postin e Drejtorit të ISHSH për Elbasanin. Paraprakisht policia dyshon për zjarr vënie të qëllimshme të automjetit në pronësi të tij për shkak të detyrës dhe po pubohet intensivisht për zbardhjen e ngjarjes.

    Ndërkohë po në Elbasan në Lagjen “Haxhias” rreth orës 03.30 është djegur automjeti tip Peguet me targë AA 197 HY në pronësi të shtetasit Tomorr Panxhi.

    Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjeve, ndërsa dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

  • Humb kontrollin e motorit, aksidentohet i riu tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”

    Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” në kryeqytet.

    Një motorist ka humbur kontrollin dhe si pasojë ka dalë nga rruga, duke mbetur i plagosur.

    I dëmtuari është G.P 25-vjeç dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

    Njoftimi i policisë:

    Më datë 25.06.2020, rreth orës 17:30, tek​ kryqëzimi i 21 Dhjetorit motorri me drejtues shtetasin G.P., 25 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka goditur një mjet të parkuar. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar shtetasi G.P, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Kishin mbjellë kanabis në një zonë të pyllëzuar/ Vihen në pranga 3 shtetas në Tepelenë

    Policia e Shtetit: Vijon kontrolli intensiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kobuz”.

    Vihen në pranga 3 shtetas.

    Shërbimet e komisariatit të policisë Tepelenë dhe ato të DVP Gjirokastër nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrollit të territorit, si dhe pas një hetimi disa javor, finalizuan me sukses operacionin “Kobuz”.

    Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit K. M., 29 vjeç banues në Memaliaj; Sh. K., 18 vjeç dhe M. K., 24 vjeç banues në fshatin Salari, Tepelenë.

    Arrestimi i tyre u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore dhe policore, u bë e mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në drejtim të tentativës për të kultivuar kanabis.

    Këta shtetas në bashkëpunim me njeri – tjetrin në vendin e quajtur Kobuz , në një zonë të fshatit Gusmar të Njësisë Administrative Kurvelesh, një një zonë të pyllëzuar, kishin kultivuar 92 fidanë narkotikë kanabis.
    Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automjet që përdorej nga këta shtetas, katër aparate celular dhe sende të tjera.

    Kontrolli i territorit do vijojë pandërprerë me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e cdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.

    Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

  • Me armë në dorë në mes të lagjes/Ndërhyrja e policisë parandalon tragjedinë

    Policia ka arrestuar një 20 vjeçar në Tiranë pasi qëlloi me armë në drejtim të makinës së kushëririt të tij. Blutë e Tiranës bëjnë me dije se sherri mes kushërinjve ka ndodhur në një lokal dhe më pas 20 vjeçari ka shkuar për të marrë një armë gjahu në shtëpinë e tij.

    Në kthim, i riu ka qëlluar në drejtim të makinës së kushëririt duke i shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Pas arrestimit, të riut i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua arma e zjarrit çifte dygrykëshe, 2 automjete, 2 armë të ftohta dhe 1 sasi fishekësh.

    Njoftimi i plotë

    Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti.

    Qëlloi me armë gjahu në drejtim të mjetit të kushëririt të tij, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.

    Sekuestrohet arma e gjahut, çifte dygrykëshe, një sasi fishekësh, 2 automjete dhe 2 armë të ftohta.

    Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 20 vjeç, banues në Tiranë.

    Ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta me dy kushërinjtë e tij E. D. dhe A. D., në një lokal, ka shkuar menjeherë në banesën e tij dhe ka marrë një armë gjahu të cilën e posedonte me leje gjyshi i tij dhe ka qëlluar në drejtim të mjetit të parkuar të shtetasit A. D.

    Falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti.

    Në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua arma e zjarrit çifte dygrykëshe, 2 automjete, 2 armë të ftohta dhe 1 sasi fishekësh.

    Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa leje e armëve sportive dhe të gjuetisë”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”.

  • Detajet e atentatit mafioz që tronditi Tiranën

    Një 40-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në një atentat të tipit mafioz në qendër të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”, pranë Qendrës Kristal.

    Viktima është Hekuran Billa, me origjinë nga Kukësi, por që prej vitesh jetonte në Tiranë. Ai është qëlluar teksa po udhëtonte me makinën e tij tip “BMW X6”.

    Pak minuta pas ngjarjes një automjet tip Benz me portobagazh është gjetur i djegur në Pezë të Vogël. Mendohet se ajo u përket autorëve të atentatit pasi në brendësi të saj u gjet edhe një armë automatik tip MP5 me silenciator. Numrat e fundit të targës janë të hequra. Targat ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tjetër tip ‘Renault’.

    Hekuran Billa rezulton të jetë një person me precedentë penalë. Në vitin 2008, rezulton të ketë kryer një vrasje me armë në Angli.

    Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata Angleze, lexohet se Billa është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një personi të identifikuar si Prel Marku. Në atë kohë, Billa, ishte 28 vjeç, ndërsa viktima, 22. Vendimi i Gjykatës së Anglisë është njohur nga drejtësia shqiptare dhe për pasojë, biznesmeni me origjinë nga Kukësi është ekstraduar drejt Shqipërisë, në vitin 2015.

    Por për arsye të pashpjegueshme, 40-vjeçari ka dalë nga burgu dhe ka vijuar jetën e tij, deri në mbrëmjen e sotme, ku u ekzekutua me silenciator tek Komuna e Parisit.

    Nga kërkimet në Qendrën Kombëtare te Biznesit, Hekuran Billa rezulton të ketë aktiv një biznes të tijin në Tiranë, ku jep makina me qira. “Car rent Albania”, quhet biznesi që administronte viktima. Dyshohet se Hekuran Billa ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës në Angli ndërsa një tjetër pistë është ajo e hakmarrjes.

  • Operacion antidrogë në Tiranë, pranga 6 trafikantëve, sekuestrohen 37.5 kg kanabis (Detajet)

    Një tjetër operacion në fushën e veprimtarisë kriminale është finalizuar nga policia e Tiranës, pas një hetimi disa mujor.

    peracioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë.

    Sekuestrohen 37.5 kg cannabis sativa, e vihen në pranga 6 shtetas.

    Në vijim të punës për goditjet e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe pas një hetimi disamujor, bazuar në informacionet se shtetasi A. T., në bashkëpunim me disa persona të tjerë merrej me shitjen e lëndëve narkotike (cannabis sativa), Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Shëngjergji”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

    – A. T., 35 vjeç, banues në Tiranë (organizatori);

    – J. Ç., 22 vjeç, banues në Tiranë;

    – R. D., 23 vjeç, banues në Tiranë;

    – F. B. (O.), 30 vjeç, banues në Tiranë;

    – R. J., 39 vjeç, banues në Tiranë;

    – Xh. K., 37 vjeç, banues në Tiranë.

    Pas mbajtjes në vëzhgim të
    mjeteve me të cilat këta shtetas po qarkullonin dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se në këto mjete ndodhej lëndë e dyshuar narkotike gati për shitje, në vendin e quajtur Qafë Priskë, në rrugën e Dajtit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll dy mjetet me të cilat këta shtetas po qarkullonin.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volkswagen Lupo”, me drejtues shtetasin J. Ç. dhe pasagjer shtetasin R. D., në pjesën e pasme të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur tri qese plastike me lëndë të dyshuar cannabis sativa.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Golf”, me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjer shtetasit Xh. K., F. B.(O.) dhe R. J., shërbimet e Policisë i kanë gjetur drejtuesit të mjetit shtetasit A. T., 8500 euro dhe 4700 lekë (me të cilat dyshohej se do të blinte lëndën narkotike).

    Nga kontrolli i ushtruar në të dyja mjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

    – tri qese me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa me peshë 37.5 kg;

    – 8500 euro dhe 4700 lekë;

    – 8 aparate celular.

    Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.

  • Policia zbardh ngjarjen/ S’lejonte fëmijët të shkojnë në shkollë, efektivët i shkojnë në shtëpi por ai i kërcënon me vdekje: Si u vetëdorëzua autori (EMRI-DETAJE)

    Policia zbardh ngjarjen e ndodhur më parë më Kamëz, ku një burrë ka kërcënuar për vdekje efektivët pasi këto të fundit i kanë shkuar në shtëpi për ta shoqëruar në Gjykatë, sepse nuk lejonte fëmijët të shkonin në shkollë.

    Bëhet fjalë për Ronald Kryemadhin, i cili pasi punonjësit e policisë i kanë shkuar në shtëpi, ka nxjerrë armën dhe i ka kërcënuar se do ti vrasë nëse afrohehen. Më pas është mbyllur brenda.

    Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa. Mësohet se Kryemadhi nuk i lejonte fëmijët të shkonin në shkollë pasi pretendonte “se i shkollon zoti”.

    Sakaq për ngjarjen ka folur edhe drejtori i Policisë Tiranë, Rebani Jaupaj i cili u shpreh se: “Kemi shoqëruar në mënyrë të detyrueshme një person për në gjykatë e Tiranës. Ky akuzohet për dhunë në familje dhe nuk lejon që fëmijët të shkojnë në shkollër. Sapo ka ardhur në banesë ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe nëse nuk do të largoheshin do të qëllonte. Negociuam me të dhe u bë e mundur negocimi me këtë shtetas nga një punonjës i RENEA-as.  Po bëjmë kontrollin e banesës, se përveç kallashnikovit ka pasur edhe një pistoletë”.

    DETAJE nga policia: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar në banesën e shtetasit Ronald Kryemadhi, për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të kërkesës së saj, për shoqërim të detyrueshëm të tij.

    Në momentin që shërbimet e Policisë kanë hyrë në banesë ky shtetas ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë.

    Menjëherë në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar forcat e DVP Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë.

    Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit,  pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa.

    Personi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, për veprimeve të mëtejshme.

    Grupi hetimor vijon kontrollin në banesë, për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.

  • Zbardhet skema/ Durrës, kapet poseduesi i 38 kg heroine të sekuestruar para 2 javësh (Policia jep detajet)

    Policia e Durrësit ka zbardhur skemën e organizmit të tentativës për trafikim narkotikësh dhe ka vënë nën pranga organizatorin dhe njëherazi edhe poseduesin e 38 kg heroine.

    Operacioni për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të drogave të forta, në kuadër të të cilit, dy javë më parë, në Port Durrës, nga Policia Kufitare u sekuestruan 68 pako me lëndë narkotike heroinë dhe u vu në pranga drejtuesi i kamionit në të cilin u konstatua lënda narkotike.

    Sektori për Narkotikët në DVP Durrës ka zbardhur skemën e organizmit të tentativës për trafikim të sasisë së lëndës narkotike të sekuestruar.

    Vihet në pranga organizatori, njëherazi edhe poseduesi i 38 kg heroinë.

    Më datë 17.05.2020, në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, në bazë të analizës së riskut, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe autoritet doganore, ushtruan kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, në kamionin që drejtonte shtetasi Dh. Z. dhe si rezultat i kontrollit, poshtë sediljeve u konstatuan dy vende të fshehura, brenda të cilave ishin fshehur 68 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, si dhe vunë në pranga drejtuesin e kamionit, shtetasin Dh. Z., 49 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.

    Në vijim të punës për zbardhjen e plotë, identifikimin dhe kapjen e personave organizatorë të kësaj tentative për trafikim të drogave të forta drejt Italisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, pas një pune operativo-gjurmuese dhe hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, bënë të mundur sigurimin e provave dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

    Mbi bazën e provave të grumbulluara, paraditen e sotme, Prokuroria nxori urdhrin e ndalimit për shtetasin P. Ç, 55 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës.

    Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të urdhrit të ndalimit, e kanë kapur dhe ndaluar shtetasin P. Ç. në afërsi të banesës së tij, në rrugën “Kumini”, në lagjen nr. 4 Durrës.

    Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është organizatori dhe poseduesi i sasisë prej 38 kg heroinë të kapur në datën 17.05.2020, në Portin e Durrësit.

    Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

    Materiale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.