Shkëndija e Tetovës ka dhënë një sinjal të fortë që në javët e para të kampionatit maqedonas. Kuqezinjtë kanë triumfuar 0-2 në transfertën ndaj Vardarit, kampionit në fuqi, në një prej përballjeve më të rëndësishme të sezonit. Heroi i takimit ishte Fabrice Tamba. Sulmuesi i krahut të djathtë ishte i pandalshëm dhe realizoi të dy golat e Shkëndijës, duke tundur rrjetën në minutat 52 dhe 76.
Kjo është një fitore me peshë të madhe për skuadrën tetovare, e cila merr tre pikë në fushën e rivalit kryesor për kreun dhe tregon ambiciet që ka për këtë sezon.
Shkëndija po përballon gjithashtu një kalendar mjaft të ngjeshur. Vetëm pak ditë më parë, kuqezinjtë luajtën në Skoci ndaj Hibernianit, ndërsa javën e ardhshme do të kenë sërish një përballje europiane me skuadrën skoceze.
Hiberniani vjen në këtë duel me një tjetër rezultat të bujshëm, pasi mposhti Rangers me shifrat 2-1 në Glasgow. Shkëndija, ndërkohë, e merr këtë fitore ndaj Vardarit si një shtysë të madhe morale për vazhdimin e sezonit.