Sherif Kallaku nuk është pritur aspak mirë në Shkodër në përballjen mes Vllaznisë dhe Teutës. Ish-fantazisti i kuqebluve, i cili gjatë verës vendosi të largohej nga Vllaznia për t’iu bashkuar Teutës, është përballur me reagimin e tifozëve shkodranë.
Gjatë ditës së sotme, pas përfundimit të nxehmjes, teksa futbollistët po drejtoheshin drejt ambienteve të brendshme të stadiumit, nga tribuna janë hedhur drejt Kallakut një tufë kartëmonedhash të printuara me fytyrën e futbollistit. Por episodi nuk u ndal aty.
Pak çaste para startit të sfidës, kur skuadrat po dilnin në fushë për rreshtimin zyrtar, tifozët e Vllaznisë e përsëritën të njëjtin veprim. Një mënyrë simbolike për t’i kujtuar Kallakut largimin nga Vllaznia dhe transferimin te Teuta, në një rikthim që duket se ka ndezur jo pak emocionet në Shkodër.