Ahmataj nuk e fsheh zhgënjimin pas barazimit: Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë!

by KLIKOJE.AL

Trajneri i Skënderbeut, Juljan Ahmataj, ka theksuar se ekipi ka gabuar duke mos finalizuar aksionet që krijoi në pjesën e parë ndaj Vllaznisë, për t’u arritur në të dytën në ndeshjen e mbyllur në barazim.

“Nuk mund të them se të dyja pjesët ishin të njëjta, por më vjen keq për pjesën e parë, sepse duhet të kishim dyfishuar rezultatin. Patëm gjithë mundësitë dhe rregulli është që, po nuk shënove, vjen ndëshkimi. Ishte një goditje e vetme, një krosim në zonë dhe pësuam gol. Kjo është keqardhja ime më e madhe, se mund ta kishim zgjidhur që në pjesën e parë, por nuk ishim të përgatitur. E kishim planifikuar këtë gjë që në minutat e para. Në pjesën e dytë, gjithashtu, kemi një lloj presioni që kemi marrë rezultatin dhe duhet ta mbrojmë atë. Ky lloj presioni ndikon sidomos në ndeshjet brenda.

Duke pasur parasysh që kishim katër sulmues në lojë, mundoheshim të mbanim kundërshtarin lart, por edhe të shtynim më shumë në pjesën e dytë. Nga rezultati, ky balancim na detyroi të vinim në bllokun e mesëm, ku duhet të qëndronim në momentet e caktuara. Kemi pasur shumë tranzicione dhe duhej t’i kishim shfrytëzuar. Kur skuadra binte në bllokun e ulët, krijohej presion për rezultatin dhe, kur kishim topin për të qarkulluar, patëm shumë presion, pasi godisnim menjëherë përpara, edhe pse nuk kishte aksion premtues që mund të na çonte drejt goditjes. Kemi bërë gabime në pasimet përpara dhe kjo vjen si pasojë e presionit të rezultatit. Duan të shkojnë te goli i dytë për të vulosur ndeshjen shpejt, por duhet të menaxhonim më mirë pjesën e ndërtimit. E kemi bërë, e kemi përgatitur shumë mirë, e bëjmë dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë gjatë gjithë kohës. Madje, kur bën presing kundërshtari, të lë hapësira mbrapa, kështu që me një aksion të suksesshëm mund të shkosh dhe të realizosh.

Ai momenti i golit: ky është goli i parë që pësojmë nga krosimet dhe nga goditjet standarde të larta nga krahët, sepse kemi krahë shumë të fortë. Edhe për më tepër, sot mungonte Shaqe që është i mirë në ajër dhe ishim të detyruar të aktivizonim Lleshin. Është i ri dhe nuk ka eksperiencën për ta zgjidhur situatën në fund. Ndikoi edhe lodhja dhe të gjitha këto. Kjo gjë ndikoi drejtpërdrejt që pësuam golin e parë në këtë mënyrë. Deri në këtë ndeshje nuk kishim pësuar në këtë mënyrë.

Ne jemi një skuadër e ndërtuar në verë dhe kemi shumë prurje nga jashtë dhe kjo pjesa e ambientimit të skuadrës, duhet kohë që të merren të gjitha automatizmat e duhura të një ndeshje futbolli. Të gjithë  e dinë që në futboll është shumë e vështirë dhe nuk mund të realizohet në kaq pak kohë. Ne krijojmë, kemi brumë për të punuar përpara por duhet të kopsitim detajet që janë të shumta në futboll”, tha Ahmataj për RTSH pas ndeshjes.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.