Elbasani ka përmbysur Laçin në një sfidë të luftuar, duke triumfuar me rezultatin 2-1 falë një paraqitjeje me karakter dhe dy golave të Mazari. Verdheblutë reaguan pas disavantazhit të hershëm dhe arritën të marrin kontrollin e rezultatit, duke siguruar një fitore të rëndësishme.
Ishin kurbinasit ata që goditën të parët. Në minutën e 8-të, Traore realizoi një gol spektakolar, pasi depërtoi nga krahu i majtë drejt zonës dhe, pas një topi të mbetur aty, lëshoi një goditje të fuqishme, të pakapshme për Aleksovskin. Laçi kaloi kështu në avantazh dhe dukej se do të kishte një mbrëmje pozitive.
Por përgjigjja e Elbasanit ishte e menjëhershme. Vetëm katër minuta më vonë, gjyqtari akordoi penallti për vendasit dhe Mazari u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke rikthyer baraspeshën në 1-1.
Pas golave të shpejtë, ndeshja u bë më e luftuar, me të dyja skuadrat që kërkonin avantazhin. Momenti vendimtar erdhi në minutën e 67-të. Diallo përfitoi nga një gabim i Gamarra në krahun e djathtë, dërgoi një pasim në qendër dhe aty Mazari u gjend në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë.
Ishte goli i dytë personal për Mazarin, por edhe goditja vendimtare për Laçin. Elbasani përmbysi gjithçka dhe kaloi në avantazh 2-1, rezultat që i jep një fitore me shumë vlerë në këtë përballje.
Verdheblutë festojnë falë dy golave të Mazari, ndërsa Laçi largohet me keqardhjen për një ndeshje ku kaloi i pari në avantazh, por nuk arriti ta administronte.