Skënderbeu dhe Vllaznia kanë ndarë nga një pikë në përballjen e vlefshme për javën e dhjetë të Abissnet Superiore, teksa sfida e zhvilluar në orën 18:30 u mbyll në barazim 1-1.
Ishin korçarët ata që kaluan të parët në avantazh. Në minutën e 31-të, Bismark përfitoi nga një harkim i Shkëmbit dhe dërgoi topin në rrjetë, duke shpërblyer dominimin e Skënderbeut në këtë pjesë të lojës. Vendasit shkuan kështu në avantazh, me shpresën për të administruar rezultatin deri në fund.
Por Vllaznia reagoi në pjesën e dytë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 67-të. Ishte Balaj ai që u tregua i saktë përballë portës, duke rikthyer baraspeshën në rezultat. Një gol që shkaktoi edhe pretendime nga kampi korçar për një faull në aksionin paraprirës. Pas këtij momenti, rezultati nuk ndryshoi më dhe të dyja skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë.
Ky barazim nuk është rezultati që kërkonin asnjëra prej skuadrave në objektivat e tyre të kampionatit. Skënderbeu ngjitet në kuotën e 11 pikëve dhe mban vendin e gjashtë, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e nëntë me 9 pikë, në zonën e poshtme të klasifikimit.