Në orën 19:00 ka nisur takimi i opozitës parlamentare me kryeministrin Edi Rama për Reformën Zgjedhore. Në takim mësohet se janë Rudina Hajdari, Myslim Murrizi, Nimet Musaji, Kujtim Gjuzi, Edmond Stojku nga opozita parlamentare, si dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Ky është takimi i dytë i opozitës së re me kreun e qeverisë, që vjen pas ftesës së tyre.
Por cfarë kërkon opozita parlamentare? Tre janë kërkesat e tyre; hapja e listave, vendosja e pragut 5% dhe ndalimi i koalicioneve. Përfaqësuesi socialist i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri paralajmëroi pak ditë më parë se për të votuar draftin e 5 qershorit “Nëse nuk gjejmë votat, mund të bëjmë kompromis me opozitën parlamentare mbase edhe për hapjen e listave” tha ai.
Javën e kaluar në Kuvend u dorëzua drafti përfundimtar për reformën zgjedhore, ndërsa në relacion theksohet se kjo është vetëm faza e parë, pasi puna do të vijojë për miratimin e një ligji të ri zgjedhor që do reflektojë plotësisht rekomandimet e dhëna ndër vite nga OSBE/ODIHR.