Alarm te Lushnja para sezonit! Bubeqi nxjerr zbuluar problemet: Na mungon cilësia dhe golat

by KLIKOJE.AL

Lushnja ka nisur përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Dytë, me një objektiv të qartë, rikthimin sa më shpejt në Kategorinë e Parë.

Verdhejeshilët kanë zhvilluar deri tani dy ndeshje miqësore, ku kanë marrë dy fitore, përkatësisht 1-0 ndaj Apolonisë dhe 2-0 kundër Naftëtarit. Rezultatet janë pozitive, por për trajnerin Dorian Bubeqi skuadra ende nuk është në nivelin e kërkuar për të luftuar për ngjitjen.

Pas sfidës me Naftëtarin, tekniku lushnjar dha një mesazh të qartë për drejtuesit: duhen edhe 3-4 përforcime cilësore.

“Duhet të jemi realistë. Na duhen 3-4 lojtarë me cilësi për të krijuar një grup të fortë dhe për të qenë pretendentë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Me këtë nivel që treguam sot, jemi ende larg të qenit një skuadër pretendente”, deklaroi Bubeqi.

Problemi kryesor duket se është në repartin ofensiv. Lushnja arrin të afrohet pranë zonës kundërshtare, por mungon lojtari që ta kthejë dominimin në gola.

“Shkonim deri te zona e 20-metërshit dhe më pas nuk funksiononte asgjë. Na duhet një sulmues tipik, i cili të ketë luajtur rregullisht dhe të marrë përsipër të udhëheqë skuadrën në fazën ofensive. Na duhet dikush që të garantojë golat”, u shpreh trajneri.

Kështu, merkatoja mbetet ende e hapur. Klubi pritet të lëvizë për të plotësuar boshllëqet e evidentuara nga stafi teknik, veçanërisht në sulm. Testi i radhës do të jetë ndaj Orikut, një tjetër miqësore që do t’i shërbejë Bubeqit për të parë më nga afër gjendjen e skuadrës dhe për të përcaktuar se ku nevojiten ndërhyrje të tjera.

Kampionati i Kategorisë së Dytë nis më 12 shtator, ndërsa Lushnja do ta nisë aventurën në shtëpi, përballë Veleçikut, në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Koha nuk mungon, por mesazhi i trajnerit është i prerë: me këtë grup nuk mjafton vetëm dëshira për ngjitje. Lushnja ka nevojë për përforcime dhe sidomos për një goleador.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.