Trajneri i Pafosit, Ricardo Sa Pinto, ka ngritur shqetësimin e tij për gjendjen e fushës së “Elbasan Arenës”, ku skuadra qipriote do të përballet me Dinamon në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Conference League.
Tekniku portugez e sheh terrenin si një problem për ndeshjen dhe kërkon që situata të vlerësohet edhe nga UEFA.
“Shqetësimi ynë tani është fusha, duhej të ishte më mirë për ndeshjet e këtij kompeticioni. Shpresoj të përmirësohet, edhe për këtë ndeshje. Është shumë e thatë, UEFA duhet ta kontrollojë situatën sepse kjo nuk është fushë e përshtatshme për rëndësinë e kësaj ndeshjeje.”
Sa i përket Dinamos, Sa Pinto e konsideron skuadrën shqiptare një kundërshtar të fortë dhe fizik. Trajneri i Pafosit pret një ndeshje të luftuar, ku duelet dhe topat e dytë mund të jenë vendimtarë.
“Për sa i përket kundërshtarit, është skuadër e fortë. Sigurisht që kjo lloj fushe iu përshtatet, atyre iu pëlqen të vrapojnë, të luftojnë, dhe ne duhet të përgatitemi për këtë lloj ndeshjeje. Do të jetë luftë për ne, duam të marrim një rezultat të mirë në transfertë. Duhet të jemi të fortë në duele, për topat e parë e të dytë. Sigurisht që synimi ynë është të luajmë gjithmonë me topin e të kontrollojmë kundërshtarin sa herë që mundemi. Kemi identitetin tonë, por ndonjëherë duhet ta kuptojmë që është e nevojsjme të tregojmë zgjuarsi. Është vetëm pjesa e parë e kësaj përballjeje dhe synimi ynë është të marrim rezultat të mirë.”